Stuhia “Ciaran” pushton gjithë vendin, si paraqitet situata në qarqet kryesore

Stuhia “Ciaran”, e cila ka prekur disa vende të Europës, prej mesditës së djeshme ka shkaktuar përmbytje rrugësh, probleme në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve si edhe ndërprerje të energjisë edhe në Shqipëri.

Sipas meteorologëve stuhia do të vijojnë dhe për dy ditët e fundjavës.

Nga Jugu në Veri problemet janë të shumta.

Kryeqyteti sot është lehtësuar. Niveli i Lumit Lana që doli dje nga shtrati ka rënë, ndërsa janë pastruar edhe rrugët nga rrëzimi i pemëve. Rrugët janë të kalueshme dhe sot nuk raportohet për trafik.

Durrës dhe Vlorë është pezulluar lundrimi i mjeteve të peshkimit.

Dibër, Rruga e Arbrit, konkretisht ura mes dy tuneleve ka probleme. Në fshatin Fshat është çarë asfalti. Probleme ka edhe rruga nacionale Klos – Bulqizë me rënien e gurëve.

Pasi disa orësh ndërhyrje, është zhbllokuar gjatë natës aksi rrugor Theth – Ndërlysaj, i cili ishte bllokuar në tre vende si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjes së gurëve.

Gjithashtu vijojnë reshjet e shiut në qarkun e Kukësit. I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe shoqëruar me erë.

Ka patur rënie inertesh, rrëshqitje dherash dhe bllokime të tumbinave në disa segmente rruge, por nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës, për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre. Rezervuaret janë në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë Qarkun Kukës.

Edhe në qarkun e Gjirokastrës ka probleme nga përmbytjet.

Ndërkohë qyteti i Lezhës pritet të preket nga stuhia Ciaran. Bashkia e Lezhës i bën thirrje banorëve të evitojnë daljet e panevojshme për të shmangur çdo incident.

Mësohet se si pasojë e reshjeve është dëmtuar ura e fshatit Panarit në njësinë administrative Vithkuq të Bashkisë së Korçës.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme dhe kanë bërë të mundur daljen nga shtrati të lumit në Kanionin e Langaricës.

Lumi ka përmbytur parkimin në hyrje të Kanionit duke shkaktuar bllokimin gjatë natës të 23 turistëve.

SHKARKO APP