SURPRIZA E PIKTORIT PASHK PËRVATHI
Aktualitet Politikë E Hënë, 17 Tetor 2022 09:29
Nga Namik Dokle-
Dy ditë më parë, sapo kishim mbaruar një takim interesant për letërsinë, me krijuesit e Lezhës, erdhi të na takonte piktori i shquar, Mjeshtri i madh, PASHK PËRVATHI. Miqësor, si ai, na ftoi të vizitonim studion e tij.
“Do të mahniteni.”- na thanë Fatmiri dhe Irena, që e kanë vizituar disa herë studion e Pashkut. Shkuam bashkë me ata, studiuesi Behar Gjoka, botuesi lezhjan Frano Kulli, poeti Ethem Çipi dhe unë.
Të hysh në studion e Pashk Përvathit është si të hysh në botën e çudirave, në botën e mrekullive të penelit dhe të shpirtit krijues të një artisti të madh. Kompozime, peisazhe, portrete; një koleksion i jashtëzakonshëm, i denjë për një galeri arti të plotë.
Dhe në fund, surpriza!
Unë e dija që peisazhet e Pashkut ishin copëza mrekullie nga e gjithë Shqipëria jonë e bukur, nga Kosova, nga Struga e Dibra, nga Ulqini, nga Italia e gjetkë, por nuk dija gjithçka. Më tregoi një peisazh të bukur, një pamje e njohur për mua.
Në cepin e pikturës pashë firmën e Pashkut dhe shënimin “BORJE, 2016”. U mrekullova, gjashtë vjet më parë ai paska vënë në telajo edhe fshatin tim!
“Është dhuratë për ty.”- më tha Pashku dhe më përqafoi. U emocionova aq, sa burrave u vjen marre të tregojnë.
Mirënjohje, Pashk Përvathi, ma zbukurove jetën!

KOHA JONË SONDAZH