Ta lëmë pak Edi Ramën dhe të shohim llumin politik të Prishtinës

Nga Enver Robelli

…U nervozua kush kur në Kosovë pati një nismë që në kuadër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të amnistohen krimet e dyanshme?

…U zemërua kush kur u pranua që shtetasi kosovar të mos ketë të drejtë t’ia tregojë pasaportën e Republikës e Kosovës policit serb?

…U mllefos kush kur u pranua që targat e veturave të Kosovës në kufi me Serbinë të mbulohen solemnisht me një karton?

…I mbeti hatëri ndokujt kur shteti i Kosovës i jepte tenderë Zvonko Veselinoviqit, njërit prej shefave të nëntokës së krimit në veri të vendit?

…A u shqetësua ndokush që muajve të fundit mbi 10 vende (sipas disa informatave 14 vende) kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës?
…U bë kush merak që për gati 20 vjet krejt çka prodhoi Serbia e shiti në Kosovë, përfshirë edhe tullat për rindërtimin e shtëpive që i kishte shkatërruar në luftë?

…U indinjua ndokush kur politikanët e Kosovës takoheshin në zyra, jahte dhe restorante me serbë që kërkohen nga drejtësia kosovare për krime të ndryshme?

…U bllokua ndonjë rrugë kur një serb i Kralevës hyn në Kosovë pa paguar sigurim për veturë, ndërsa shqiptarët që jetojnë në Europën Perëndimore duhet t’ia paguajnë haraçin dy familjeve parapolitike që kontrollojnë shoqatën e sigurimeve?

…A u nxor kaq shumë shkumë nga goja kur presidenti i Kosovës, kokë më vete, shkonte e përulej para viktimave serbe diku në Lipjan, ndërkohë që Serbia për çdo ditë mohon krimet e saj, nuk ndihmon në gjetjen e të zhdukurve (në këtë çështje pothuaj ngjashëm sillet edhe Kosova)?

…A pati kaq zemërim popullor kur një kryeministër i Kosovës nënshkroi marrëveshjen me Serbinë që përfshinte krijimin faktikisht të një Republikë Serbe brenda Kosovës? Kjo marrëveshje shkeli Kushtetutën, por nënshkruesit shpëtuan pa therë në këmbë dhe akoma kanë ambicie politike.

…A u acarua ndokush kur qarkullonin lajme se presidenti i Kosovës po takohet me presidentin serb në Romë, në Paris, në Amerikë, në Vjenë? Larg syve të opinionit.

…U tendos kush kur njëra pas tjetrës në Kosovë shpërthenin aferat korruptive, kur vriteshin rivalë politikë, kur (vetë)vriteshin drejtorë agjencish?
Para se të zemëroheni me Edi Ramën – zemërohuni me dështimet e njëpasnjëshme në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Zemërohuni me ata që i keni zgjedhur dhe toleruar në pushtet qe 20 vjet. Njerëz që vjedhin edhe në tenderë për meremetimin e varrezave të viktimave të luftës.

SHKARKO APP