Tabaku: 13.1% më pak të punësuar në industrinë prodhuese. Zgjidhja me 3 pika

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka denoncuar mungesën e mbështetjes nga qeveria. Për të ka çuar në shpunësime masive dhe vështirësi të mëdha për kompanitë prodhuese. Ajo vuri në dukje se zhvlerësimi i euros ka bërë që produktet shqiptare të bëhen të pashitshme në tregjet rajonale dhe europiane, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit. ”Prej disa vitesh dhe çdo tremujor kemi paralajmëruar qeverinë se sektori fason po lëngon. Rënia e punësimit në këtë sektor është një fakt që vjen nga shpunësimet masive që kanë ndodhur për shkak të mungesës së një sistemi të qartë fiskal dhe mbështetjes reale për eksportet”,-u shpreh Tabaku.

Postimi i plotë

13.1% më pak të punësuar në sektorin prodhues në Shqipëri. E gjitha kjo vjen nga rënia e punësimit në sektorin fason. Sa vite kemi, sa tre-mujorë kemi që i themi qeverisë që sektori fason po lëngon? Zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare të pashitshme, si në tregjet rajonale ashtu edhe në tregjet europiane.

Mungesa e mbështetjes nga qeveria, mungesa e një sistemi fiskal dhe taksash që ta mbështesë këtë sektor, mungesa e një mbështetjeje reale për eksportet – të gjitha këto kanë munguar. Dhe sot, fakti është që 13.1% e rënies së punësimit vjen nga shpunësimet masive që kanë ndodhur në sektorin fason. Cila është zgjidhja? Nuk ka nevojë as të shpikim rrotën dhe as të bëjmë ndonjë mrekulli. Zgjidhja është e thjeshtë.

Së pari, vendosja e një prioriteti të qartë për të mbështetur produktet shqiptare. Së dyti, krijimi i një agjencie për eksportet dhe një fond subvencionesh për këdo që do të shesë produktet shqiptare jashtë në tregjet ndërkombëtare. Së treti, një sistem taksash që mbështet dhe nxit prodhimin.

E gjitha kjo, sigurisht, duhet të vijë nga një ekonomi reale dhe jo nga një ekonomi informale. Duhet të vijë nga një ekonomi që nuk bazohet te paraja e pistë, e cila zhvlerëson euron. Këto elementë bazë mund ta kishin ndihmuar sektorin fason. Por sot është vonë, shpunësimet kanë ndodhur. Unë besoj se kjo është një arsye shtesë për të mbështetur Partinë Demokratike dhe programin e saj ekonomik.

SHKARKO APP