Tabaku: Ndjesë për atë që s’e bëmë dot, por kurrë s’tentuam atë që tentoi kjo qeveri me pronarët
Pas Oerd Bylykbashit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përshëndetej nga një tjetër deputete e PD-së, Jorida Tabaku, e cila është përballur në Gjykatën Kushtetuese me mazhorancën lidhur me ligjin pronave.
Përmes faqes së saj zyrtare në “Facebook”, Tabaku shprehet se ligji antikushtetues që qeveria miratoi me votat e mazhorancës së sotme, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas saj, vendimi i GJK rrëzon përfundimisht nenet të cilat i jepnin me pa të drejtë qeverisë mundësinë e mos shpronësimit të plotë të pronës edhe kur kthimi qe i mundshëm, rrëzoi nenin që kompensonte me vlerën e tregut së kohës së shpronësimit të padrejtë.
Në këtë mënyrë, “kërkesa dhe përpjekja e Partisë Demokratike dhe pronarëve sot ka marrë përgjigjen e duhur duke i kthyer legjitimitetin edhe shenjtërinë e pronës në duart e zotëruesve apo trashëgimtarëve të tyre. Nuk ka pasur çështje tjetër për të cilën kam folur më shumë gjatë këtyre 3 viteve, për të cilën kam përgatitur dhe amendamente të paktën në 3 raste, duke e gjykuar si një të drejtë të njeriut dhe siç shprehej James Madison, detyrim i qeverisë për t’u mbrojtur. Jo më kot raporti i progresit e ka pronën si një nga 5 çështjet themelore, ku shprehet qartë nevoja për zbatimin e kësaj të drejte kushtetuese, si një mundësi e mirë për pronarët, për bizneset e investimet e huaja. Sa herë kam pasur mundësi kam kërkuar ndjesë në emër të Partisë Demokratike, që megjithëse nisi një proces shumë të rëndësishëm, nuk arriti dot të kthente drejtësinë e munguar për pronarët. Nuk kam asnjë kompleks ta përsëris këtë, e nuk kam asnjë kompleks të pranoj që sado gabime bëmë në qeverisje, kurrë nuk tentuam ti bëjmë pronarëve këtë që donte të bënte ky ligj!”- shkruan deputetja Jorida Tabaku në reagimin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

