Tabaku takim me të rinjtë: Të ndalim emigrimin, 25 prilli është një betejë për ju

Kandidatja për deputete e PD-së në listën e qarkut të Tiranës, Jorida Tabaku u takua me votues të cilët më 25 Prill do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e tyre për të zgjedhur. Drejtuesja politike e degës 2 në Tiranë vuri në dukje bashkëpunimin me njëri-tjetrin për të sjellë fitoren e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, Tabaku theksoi se plani i PD-së u jep zgjidhje çështjeve kryesore që shqetësojnë të rinjtë si dhe të frenojnë largimin e tyre nga vendi.

“Unë kam 3 fëmijë të vegjël, kam dy vajza binjake që janë 3 vjeç e gjysmë dhe një djalë 1 vjeç e gjysmë dhe unë dua që ata të jetojnë këtu, nuk dua që të largohen. Unë dua që të kontribuoj në politikë dhe ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, për ju dhe për fëmijët tanë! Unë e di që shumë nga ju ndoshta mund të kenë dëshirë të studiojnë jashtë dhe nuk ka asgjë, me ambiciet e gjithkujt për të studiuar jashtë edhe për të shkuar jashtë, për ta provuar, por e rëndësishme është që të kthehemi këtu edhe na takon neve politikës që ta bëjmë vendin më të mirë që ju të ktheheni, që nga cilësia e arsimit, mësimdhënies, tek mundësitë që ka rinia për t’u punësuar, tek hapësira që ka rinia, për të thënë zërin e tyre, për tu përfshirë në procese, po njëkohësisht për t’u krijuar juve mundësi, kushdo që është kampion në sport, ose kushdo që ka një pasion për ta zhvilluar atë”, tha Tabaku.

Në lidhje me sistemin arsimor, Tabaku tha se Partia Demokratike ka një plan të qartë për maturantët dhe studentët, ku tha se familjet më të ardhura më pas se 64 mijë lekë të reja, tarifat do të subvencionohen dhe mbështeten nga shteti.

“Nevojitet ngritja e një sistemi që ofron siguri për të vijuar shkollimin e mesëm mbi drejtimin që dëshiron të ndjekësh. Për ata që duan të studiojnë këtu në Shqipëri, tarifat janë shpeshherë të papërballueshme për familjet. Dhe ne kemi planifikuar për të gjitha familjet që janë me të ardhura nën 64 mijë lekë të reja, tarifat do të subvencionohen dhe mbështeten nga shteti. Ndërkohë që sot është pandemi, studentët janë duke e paguar tarifën e Universitetit. Është e palogjikshme dhe e pakonceptueshme që të kërkohen pagesat për shkollën kur shkolla nuk është duke u zhvilluar”, tha Tabaku.

25 prilli, tha Tabaku, nuk është një betejë për Bashën ose për Ramën, por është një betejë për të rinjtë, është një betejë për Europën, është një betejë që ju të keni mundësi për më shumë mundësi studimi, punësimi në të ardhmen. “Është një betejë për familjet tuaja që unë do t’u kërkoja që bashkë të kërkojmë votën deri më 25 prill çdo ditë, ku të keni mundësi”, tha ajo.

SHKARKO APP