Tabaku: Të mos heshtim për të drejtat e shqiptarëve që po shkelen hapur në Serbi, qeveria Rama të marrë masa
Shqiptarët nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë, po protestojnë për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur të drejtat e shqiptarëve në Serbi shkelen hapur. Ajo bën thirrje që qeveria Rama të marrë masa. ”Më e turpshme është mungesa e teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në këto komuna. Është e paimagjinueshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë të keqtrajtuar në atë mënyrë, sa shumica e tyre detyrohen të mësojnë nga shënime, për shkak se u mohohet e drejta për të studiuar dhe mësuar nga librat në gjuhën e tyre amtare”,-shkruan Tabaku.
Shkrimi i plotë
Minoriteti shqiptar në Serbi duhet respektuar!
Nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndërsa të drejtat e shqiptarëve në Serbi shkelen hapur. Prej disa ditësh, shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë dalë në protesta për të drejtat e tyre që nuk respektohen nga qeveria serbe. Kërkesat e tyre për integrim të plotë dhe proporcional të kuadrove shqiptarë në organet shtetërore dhe institucionet e tjera publike, siç është miratuar në marrëveshjet politike që prej vitit 2001, ndalimi i diskriminimit mbi baza etnike, si dhe njohja e diplomave janë dëshmi të qarta të mungesës së respektit që qeveria serbe tregon ndaj shqiptarëve.
Por më e turpshme është mungesa e teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në këto komuna. Është e paimagjinueshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë të keqtrajtuar në atë mënyrë, sa shumica e tyre detyrohen të mësojnë nga shënime, për shkak se u mohohet e drejta për të studiuar dhe mësuar nga librat në gjuhën e tyre amtare.
Përpjekjet e shqiptarëve në Serbi për të drejtat e tyre nuk mund të injorohen. Kërkesat e tyre për edukim në gjuhën amtare, për libra shqip, për njohje diplome dhe përfshirje në administratën publike janë të drejta legjitime që duhen respektuar.
Një shtet që pretendon hyrjen në Bashkimin Evropian dhe respektimin e të drejtave të njeriut, dhe që u kërkon këto standarde edhe vendeve të tjera, duhet të respektojë të drejtat e minoriteteve. Prandaj, ka ardhur koha që Serbia të përmbushë këto kërkesa, ndërsa qeveria shqiptare duhet të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur shqiptarët në Serbi. Ata janë motrat dhe vëllezërit tanë!
Është koha që qeveria shqiptare të ndërmarrë hapa konkrete për të siguruar që shqiptarët në Serbi të mos mbeten të braktisur. Respekti për minoritetet është themeli i demokracive të vërteta dhe të qëndrueshme!