Tahiri: E vërteta e përgjimeve

Emisioni “Top Story” i gazetarit Sokol Balla, këtë të hënë është përqëndruar te çështja e përgjimeve, te hetimi ndaj trafikut të drogës, si dhe çështja “Balili”, i cilësuar nga autoritetet greke si “Escobari” i Ballkanit, për të cilat i ftuar në studio ka qenë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Java ka filluar me ngarkesa të forta politike, pas akuzave të Presidentit dhe sigurisë së tij për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi nga policia, teksa ditë më parë kishte folur për dyshime. Më herët, Berisha kishte denoncuar një listë prej disa personalitetesh të përgjuara prej Policisë së Shtetit. Një ngjarje që vjen pas asaj të baronit të famshëm të drogës, Klement Balili, një ish-funksionar i lartë i Transportit në Sarandë. Ka pasur edhe zhvillime të tjera brenda koalicionit të majtë.

Sokol Balla: Zoti Tahiri, si shpjegohet që ju sulmojnë kaq shumë dhe jeni në fokus të këtyre akuzave?

Saimir Tahiri: Sepse bëj punën, tashmë kam mbushur pak më shumë se 30 muaj në këtë detyrë, ndërsa qytetarët besoj se nuk kanë asnjë ditë të vetme kur PD-ja të mos ketë dalë e të ketë hedhur baltë mbi punën e Policisë së Shtetit. E kujtoni shumë mirë aksionin ndaj Lazaratit, ku hashashi rritej nën hundën e politikanëve dhe ujitej nga ujëhedhëset e Bashkisë së Lazaratit. Kjo vjen sepse unë besoj se ne po bëjmë punën e duhur në një institucion që ne e morëm të kalbur në injorancë dhe të paaftë për ta bërë punën siç duhej në shërbim të qytetarëve, e mbi të gjitha një institucion të tradhtuar. Kemi pasur pafund raste, të cilat ne i kemi denoncuar për atë që është bërë në të kaluarën me Policinë e Shtetit. Tashëm ky institucion po përpiqet t’u shërbejë siç duhet qytetarëve dhe të përballet me kriminelët dhëmb për dhëmb. Unë jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë për reformimin e Ministrisë së Brendshme. E di shumë mirë që jo gjithçka është bërë, e di që ata që nuk duan të bëjmë reforma janë po shumë, ndërsa rezistenca ndaj këtyre veprimeve e bëjnë edhe më të vështirë detyrën tonë. Por unë garantoj të gjithë që jemi aty për të bërë më të mirën e mundshme, për një polici që nuk pyet për mikun, për paratë, për muskujt dhe për ata që janë mësuar të anashkalojnë ligjin. Kemi dërguar në Prokurori mbi 2000 punonjës policie, të lidhur ngushtësisht me korrupsionin dhe bakshishin, si dhe që nuk ishin të aftë të punonin siç duhet. Për gjërat e mira në këtë vend duhet pak kohë, ndaj dhe po bëjmë gjithë këtë reformë, pa pasur parasysh se kush është ministri, politikani apo miku që është mësuar t’ia hedhë kollaj. Prandaj SHQUP-i del çdo ditë në konferenca kundër meje, gjë që janë konfirmim për punën që unë po bëj. Unë ndiej kënaqësi për atë që kam bërë deri më sot, sa herë që kritikohem dhe akuzohem. Sot policë janë djem e vajza të reja që kanë për filozofi shërbimin ndaj qytetarëve, janë shërbëtorë ndaj tyre. E sigurt është që jo të gjithë janë kështu, ndaj duhet pak kohë. A kam bërë gabime? Sigurisht që mund të kemi bërë gabime, por kurrë në asnjë sekondë nuk kam bërë faje, apo të shkel ligjin. Kam mundësinë e jetës sime të jem ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë. Me pasion dua ta bëj punën siç duhet, me gjithçka kam mundësi të bëj dhe për të bërë në Shqipëri atë që nuk është bërë kurrë. Jemi në rrugën e duhur dhe kemi inkurajimin e reformave që kemi bërë deri më sot me mbështetjen e ndërkombëtarëve, partnerëve tanë. Jam i sigurt që po shkojmë në rrugën e duhur.

Sokol Balla: Është e paevitueshme që të vesh re transformimin që ka ndodhur në Ministrinë e Brendshme. Por natyrisht që gjërat kanë lëvizur, ashtu sikurse ka pasur edhe gabime apo lapsuse, që kanë pasur nevojë për shpjegime. Kjo e fundit është njëra prej tyre, që vjen menjëherë pas diskutimeve për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kemi pasur një deklarim për 270 emra, përfshi Erion Veliaj, të denoncuara nga Sali Berisha si të përgjuar. Ju e quani SHQUP-i, por ajo është selia e opozitës. Ka apo s’ka një pajisje përgjuese, apo që kryen edhe këtë funksion, në disponueshmëri të Ministrisë së Brendshme?

Saimir Tahiri: Nuk do të harxhoja kohën time për t’i kthyer përgjigje opozitës. E kam bërë me punën time çdo ditë, brenda dhe jashtë Parlamentit. Gjëja më e mirë për mua është të vazhdoj të bëj punën time. Këtu kam ardhur të flas për publikun. Basha ka një raport skandaloz me të vërtetën. Ai e di mirë që edhe po t’i dalë gënjeshtër, nuk do të dalë të kërkojë falje. Edhe kur kjo çështje të zgjidhet dhe të marrë verdiktin, ky nuk do të dalë të thotë “e pata gabim”. Në këtë rrëmujë, ky nuk shton asgjë më shumë. Unë dua të sqaroj disa gjëra teknike për të gjithë, lidhur me të ashtuquajturën pajisje përgjimi. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë pasur kurrë, sa jam unë në detyrë, nuk ka dhe nuk mund të ketë me ligj në përdorim një pajisje përgjimi. Nuk kemi përgjuar telefonata, biseda, mesazhe apo komunikime mes qytetarëve. E them me përgjegjësi të plotë dhe nuk shquhem të them fjalë që më pas të më dalin të pavërteta. Mbaj përgjegjësi për atë që them para publikut dhe para institucioneve. Ka një të vërtetë, që Policia e Shtetit me partnerët kryejnë trajnime që ndihmojnë këtë të fundit të zhvillojnë më mirë punën dhe luftën kundër krimit.

Sokol Balla: Cfarë është kjo?

Saimir Tahiri: Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, që është firmosur nga Bujar Nishani, Policia e Shtetit me atë italiane firmosin atë për të dhënë ndihmë për policinë tonë. Jo vetëm ajo italiane, por edhe ato amerikane po përpiqen të na ndihmojnë për ta bërë punën sa më mirë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që agjencitë ligjzbatuese më të shquara në botë, FBI dhe DEA, të vijnë dhe të kenë prani fizike në Shqipëri, të punojnë në zyra me punonjësit tanë të policisë, ka qenë kërkesë e jona. Trajnimi duhet të jetë duke mësuar gjatë punës, e jo të ishte didaktik. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në punim edhe përdorimi i një pajisjeje, që tregon se cilat janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Pajisja është si të marrësh numratorin e telefonave fiks. Duke qenë se numrat celularë janë të tepërt, duhet që policia të shohë se kush ka një numër telefoni në një zonë të caktuar. Ju e keni dëgjuar shpesh që Policia e Shtetit bllokon ndonjëherë valët e telefonave, siç ndodh nëpër burgje, ku bllokohen thirrjet. Kjo pajisje gjendet në përdorim në çdo polici të botës, por ne nuk e kemi sepse na mungon buxheti. Shpresoj shumë që ta kemi një ditë dhe do luftoj për këtë, por fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër.

Sokol Balla: Domethënë është firmosur nga ish-ministri i Brendshëm Bujar Nishani?

Saimir Tahiri:Po, është marrëveshje kuadër me Italinë dhe policinë italiane, që ne po shohim ta bëjmë më funksionale. Sot që flasim, Policia e Shtetit nuk ka një pajisje që e mundëson qoftë edhe teknikisht përgjimin. Pajisja që kanë sjellë misioni italian për trajnim, që do të largohen kur të mbarojë trajnimi dhe teknikisht nuk e ofron mundësinë e përgjimit.

Sokol Balla: Qoftë edhe për qëllime trajnuese, kjo pajisje nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, nuk e ka nevojën e lejes nga Prokuroria?

Saimir Tahiri: Jo, fare. Aspak, kjo vetëm sa gjen se cilët numra janë në funksionim. Nuk ka asgjë nëse dalin numrat e politikanëve që kanë numra në përdorim në një zonë të caktuar. Këtë mund ta bëja edhe manualisht, të gjeja numrin e Nishanit apo të kujtdo tjetër. Unë numrin tim personal e kam publikuar në çdo komisariat dhe marr me qindra mesazhe çdo ditë.

Sokol Balla: Kur vjen një pajisje e tillë, qoftë për trajnim, normalisht duhet të ketë një shpjegim se ku mund të përdoret dhe si mund të përdoret. Edhe trajnimi nuk mund të bëhet pa leje. Dikush duhet ta thotë nëse diçka e tillë është e ligjshme të përdoret. Edhe armët që dalin për qitje apo stërvitje, edhe ato regjistrohen. A ka një fletë shoqëruese që është futur diku dhe është regjistruar diku? Nishani thotë që ajo ekziston, por nuk dihet nëse është e ligjshme apo jo? Është tërësisht e ligjshme, sepse është pajisje nën natyrën e Policisë dhe në funksion të përmbushjes së detyrës. Me të dhënat përkatëse dhe të gjitha informacionet shoqëruese. Pra është e regjistruar si pajisje?

Saimir Tahiri: Fatmirësisht të gjitha detajet e kësaj çështjeje do të sqarohen nga një hetim i Prokurorisë. Unë e quaj një lapsus të rëndë, por është mundësi e jona për të parë të vërtetën. Shpresoj që Prokuroria të thotë të vërtetën për qytetarët shqiptarë, edhe pse nuk e di nëse do ta bëjë. Ndoshta Bashës apo Presidentit qytetarët do t’i kërkojnë se përse gënjyen gjatë gjithë kësaj kohe.

Saimir Tahiri: Unë kam simpati për ata që merren me lodra, por jo kur ky është President i Republikës. Ai nuk do të gjejë lodër në Policinë e Shtetit. Habitem se me çfarë sigurie ka dalë të flasë për atë pajisje. Pres të mësoj se cilat janë institucionet që i kanë thënë për ekzistencën e asaj pajisjeje. Shpresoj që t’i mbledhë sërish ata që doli në konferencë dhe t’u kërkojë edhe atyre të falur. Po Presidenti deklaroi se i përgjonim shtëpinë etj. Ky që nuk pati guximin të shkonte të denonconte në cilindo institucion. Merre me mend shembullim që jemi Presidenti, sepse s’ka besim te policia. Ky e drejton drejtësinë dhe s’ka besim. Presidenti thotë se po e përgjojnë në shtëpi, në zyrë apo ndaj familjarëve, por nuk e denoncoi. Ka merak se drejtësia është e pabesueshme…

Sokol Balla: Në fakt i është përgjuar i vëllai në një aktivitet totalisht privat.

Saimir Tahiri: Për të qenë i sinqertë, unë ndiej vetëm keqardhje për katandisjen e institucionit të Presidentit të Republikës. E dija që do të sillej si patericë e SHQUP-it, por nuk e dija që do të kthehej në lodër e asaj selie.

Sokol Balla: Keni filluar ta provokoni pak rëndë Presidentin e Republikës? Duket sikur s’ka rrugë tjetër veçse të mbrohet…

Saimir Tahiri: Një njeri që minimalisht po të kishte interes për të vërtetën duhej të më thërriste në zyrë dhe të më pyeste sesi është e vërteta. Ky thërret protestuesit e lodrave të liqenit, grupet e interesit të çfarëdollojshme, por nuk thërret ministrin e Brendshëm. Me çfarë garancie del edhe thotë që ai e di se ka pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit? Unë po të ekzistonte diçka e tillë duhej të ikja nga detyra, sepse është shkelje e jashtëzakonshme ligji. Unë nuk vij këtu në studion tuaj dhe të abuzoj me këtë histori. Detyra ime është e shenjtë dhe për sa kohë kam besimin e mazhorancës, nuk kam asnjë minutë të merrem me lojëra. Merreni me mend ku është standardi i së vërtetës në këtë vend, kur Presidenti thotë që ekziston një pajisje përgjimi që ka kërcënuar sigurinë kombëtare. Shumë shpejt, Prokuroria do të gjejë të vërtetën në hetimin e vet. Partnerët do të veprojnë për ta sqaruar këtë çështje, po Presidenti çfarë do të bëjë?

Sokol Balla: Kur ka ardhur kjo pajisje? Akuzat janë prej më shumë se 6 muajsh dhe ka pasur pretendime se është përgjuar edhe Ilir Meta. Tani flasim për akuza konkrete. Kur ka ardhur kjo pajisje?

Saimir Tahiri: Për çfarë ke nevojë të përgjosh Presidentin e Republikës? Më gjeni një motiv se kujt i duhet ta bëjë diçka të tillë. Nuk them që e ka të shkruar në ballë, por ai e thotë vet që është lodër e Partisë Demokratike. Për çfarë duhet ta përgjosh Lulzim Bashën, që fundjavave shkon me pushime në Holandë? Ai e thotë vet dhe nuk ke pse ta përgjosh. Kurse Sali Berisha i thotë në Parlament ato që ka për të thënë, bëri një thirrje antikushtetuese për armët dhe sërish nuk doli asnjë prokuror ta merrte nën hetim.

Sokol Balla: Sa kohë ka kjo pajisje në Shqipëri?

Saimir Tahiri: Këto janë të dhëna që nuk mund t’i marr përsipër sepse mund të gaboj. Duhet të ketë vetëm pak javë dhe çdo detaj teknik sqarohet nga Prokuroria. Them vetëm që identifikon numrat e telefonave.

Sokol Balla: A i identifikon numrat IMEI të pajisjeve celularë?

Saimir Tahiri: Mos më fusni më tepër në detaje, prisni hetimet e Prokurorisë dhe do t’ua bëjë ajo të ditura.

Sokol Balla: Ka pasur një reagim të mëparshëm për identifikimin e numrave IMEI të aparateve…

Saimir Tahiri: S’ka asnjë problem as këtu. Nuk kemi bërë ndonjë çudi që s’e ka bërë ndonjëherë bota. Kjo është praktikisht fabula e çdo gjëje që është ndërtuar mbrapsht dhe për këtë shkak duhet ta rindërtojmë. Sa i përket IMEI-t, asgjë nuk është jashtë normales. Në çdo vend të botës aparati është i regjistruar në kompaninë që e shet dhe ti nuk mund të blesh ndonjë në treg të zi. Të gjitha bëhen për të pasur garanci në luftën kundër terrorizmit, ashtu sikurse edhe rregulla fiskale. Ne gjetëm një treg të pakontrolluar. Kemi gjetur bomba me telefon që kanë ndodhur vetëm për këtë shkak, ose që i favorizon. Në botë ka një sistem kontrolli, por që s’do të thotë që ata hyjnë në privatësinë e personave. Edhe regjistrimi i IMEI-t nënkuptonte krijimin e një baze nga zeroja për të regjistruar të gjitha telefonat, duke ndarë pjesën e shëndoshë të shoqërisë nga pjesa e kriminalizuar. Me këto veprime, jeta e qytetarëve është e kërcënuar. Nuk besoj se ka prind që nuk e do këtë. Ne duhet të ofrojmë siguri në këtë vend, duke ruajtur balancën me privatësinë, çështje që Europa i ka kaluar me dekada më parë.

SHKARKO APP