Tahiri-Nishanit: Presidenti rol kyç në procedimin e gjyqtarëve
Në një reagim pas përgjigjes së Nishanit për letrën që i dërgoi pasdite, Tahiri thekson se “roli i Presidentit të Republikës është kyç, për më tepër në situatën kur KLD-ja është vënë në dijeni të këtyre shkeljeve edhe më parë, qoftë edhe nga Ministri i Drejtësisë, por ende nuk ka marrë asnjë vendim”.
Duke replikuar me Presidentit, që u mundua t’a kalonte përgjegjësinë për të proceduar gjyqtarët tek Ministri i Drejtësisë, kreu i ministrisë së Brendshme shton se “Këshilli duhet të veprojë sa më parë për të marrë të gjitha masat, pavarësisht nëse informohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, apo nga çdo qytetar”.
Tahiri nënvizion rastin e gjyqtarit të Kavajës për të deklaruar se ndryshe nga sa pretendon Nishani, nuk ka asnjë reagim nga KLD-ja edhe për raste flagrante të denoncuara publikisht më herët.
“Do të mjaftonte rasti i gjyqtarit Osman Aliu, i cili liroi në sallën e gjyqit përdhunuesin e një të miture, rast që i është bërë me dije Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të KLD-së, ashtu siç i është bërë me dije KLD-së nga Ministri i Drejtësisë, e për të cilin nuk është marrë ende asnjë masë, për të dëgjuar sirenat e alarmit që qytetarët u bien përditë. Është edhe loja përcjellëse e përgjegjësive, ajo që deri sot ka prodhuar këtë situatë skandaloze, ku drejtësia blihet dhe shitet si mall tregu për më të fortin e më të pasurin. Ndaj më shumë se përcjellje postare, veprimi aktiv dhe në kohë, jo vetëm me përgjigje publike, por me marrje masash konkrete, është ajo që presin qytetarët”, thuhet në reagimin e ministrit të Brendshëm.