Tahiri: Sistemi “çalon” tek drejtësia

 

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, duke folur për progres-raportin e Bashkimit Europian, tha se policia ka marrë vlerësime mjaft pozitive, teksa sistemi drejtësisë vijon të mbetet plaga që çalon në sistem.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Tahirit, Policia e Shtetit është vlerësuar pozitivisht sa i takon luftës ndaj narkotikëve. “Viti 2014 ishte viti i parë kur hoqëm Shqipërinë nga lista e vendeve të zeza të origjinës për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjetëm një situatë ku droga rritej nën hundën e policisë, madje ajo ndihmohej dhe mbështetej nga struktura të caktuara në shtet”, tha Tahiri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Ministrit të Brendshëm, progres-raporti vlerëson operacionin në Lazarat si më të rëndësishëm të bërë ndonjëherë në vend, në kuadër të luftës kundër narkotikëve.

Ministri Tahiri tha se në progres-raport theksohet si problematike drejtësia. “Shqetësimi i ripërsëritur nga Ministria e Brendshme lidhur me ndjekjet penale, që pasojnë pas operacioneve policore dhe kjo pjesë ka çaluar është paraqitur edhe në progres-raport. Sot situata është shqetësuese, pasi nga njëra anë policia zhvillon operacione të suksesshme, ku arrestohen personazhe të botës së krimit, dhe nga krahu tjetër, drejtësia i rikthen këta persona në shoqëri, duke komplikuar punën e policisë dhe duke zbehur atë në raste të caktuara”, vijoi Tahiri.policia-lazarat12-1-350x192

Duke folur me shifra, Ministri i Brendshëm ripërsëriti se, “në kuadër të luftës ndaj narkotikëve janë asgjësuar mbi 1.3 milionë rrënjë Cannabis në dy vite, pra 46% më shumë se në tetë vitet e qeverisë së shkuar dhe kjo edhe falë marrëdhënieve të mira me partnerët ndërkombëtar, çka njihet edhe nga progres-raporti”.

“Në 10 muajt e parë të këtij viti janë asgjësuar 40% më shumë Cannabis se vitin e shkuar. Në vitin 2015 është mbjellë në Shqipëri 8 herë më pak se në vitin 2013, dhe janë shkatërruar 99% e plantacioneve”, vijoi Tahiri, i cili kërkoi mbështetjen edhe të opozitës.

“Opozita të mbështes policinë e shtetit që të ndërtojmë një vend të sigurit për fëmijët e qytetarët shqiptarë. Suksesi i policisë nuk është ekskluzivitet i ministrit apo qeverisë, por i të gjithëve. Prandaj duhet ta inkurajojmë sa më shumë bashkarisht të gjithë, politika, shoqëria etj, luftën e policisë ndaj informalitetit, drogës, krimit dhe të gjitha të tjerat me radhë”, tha Ministri i Brendshëm.

Sipas Tahirit, progres-raporti për herë të parë nënvizon pozitivisht bashkëpunimin rajonal në luftën ndaj krimit. Kriminaliteti nuk është vetëm një fenomen brenda kufijve. “Policia ka fituar besimin e partnerëve të huaj dhe qytetarëve shqiptarë mbi atë që duam të ndërtojmë nesër. Edhe këtu akuzat e opozitës bien”, tha ai.

“Lufta ndaj korrupsionit, sipas progres-raportit, mbetet themelore për zhvillimin ekonomik, rendin dhe sigurinë, çka i përgjigjet më së miri kërkesave të mazhorancës. Po ashtu përfundimi i kuadrit ligjor për të mos lejuar që persona me precedentë penal, të kenë mundësi të bëhen pjesë e sistemit politik, administrativ dhe ligjor. Në vitin 2013 raporti theksonte se krimi i organizuar ishte problematikë. Raporti këtë vit vlerëson bashkëpunimin me partnerët në luftën ndaj krimit të organizuar dhe veçanërisht në luftë kundër drogës”, tha Ministri Tahiri.Policia-aksion-droga-Dukagjin-Shkoder-3-Foto-G2-526x350

Duke folur për vrasjet apo krimet e tjera, Ministri Tahiri tha se viti 2015 është viti i parë me numrin më të vogël të vrasjeve në 25 vite demokraci në vend. “Ky është produkt i rritjes së besimit të policisë, rritjes së forcës së policisë për parandalimin e veprave penale. Ne vlerësojmë që lufta ndaj korrupsionit në radhët e policisë është parakusht për të ndërtuar marrëdhënie të besueshme mes punonjësve të policisë, mes Policisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe Policisë me vetë qytetarët. Në këtë kuadër, vijoi Tahiri, kanë nisur procedime penale për 1998 punonjës policie, apo 18% të gjithë trupës policore, çka tregon kompromis 0 me shkelësit e ligjit”, tha Tahiri.

Ai shtoi se problem veç çështjes së sistemit drejtësisë është fakti se bota e krimit ka shumë më shumë të ardhura dhe se vetë buxheti që i takon Policisë dhe mundësive që ka Policia. “Prandaj dhe kemi marrë masa për të goditur këtë pasuri, e cila rrjedhimisht godet dhe krimin. Kështu në dy vite qeverisje janë ndaluar 50 milionë euro asete kriminale apo pasuri të tjera, të botës së krimit dhe në këtë shifër nuk bëjnë pjesë pasuritë e ndaluara gjatë operacioneve të policisë për lojërat e fatit, energjinë elektrike, informalitetin në ekonomi, apo ndërtimet pa leje”, theksoi Tahiri.

Ministri i Punëve të Brendshme, duke vlerësuar se progres-raporti në tërësi ka paraqitur punën e bërë nga qeveria shqiptare në drejtim të rendit dhe sigurisë dhe duke theksuar se në progres- raport sqarohen qartë objektivat që qeveria duhet të arrijë, tha se tashmë nuk mbetet gjë tjetër, vetëm të ndiqen udhëzimet e këtij progres-raporti.

Ai shtoi se në këtë kuadër është dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si një institucion shumë i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, apo ligjit që do të sjellë largimin nga postet zyrtare të personave me precedentë penal në kurriz të tyre.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?