Takim me ambasadorin amerikan, Donald Lu!
Nga Sali Berisha.
Sot prita në një takim ambasadorin e SHBA në vendin tonë, zotin Donald Lu, i cili shoqërohej nga zëvëndësambasadori David Muniz dhe nga kreu i OPDAT zoti Jon Simbert.
Përfaqësuesi i OPDAT bëri një ekspoze të reformës së drejtësisë, ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që duhen, trajtimit të të gjitha problemeve të sistemit aktual të drejtësisë, punën që është bërë gjatë gjithë këtyre muajve nga ekspertët ndërkombëtarë dhe shqiptarë si dhe Komisioni Venecias.
Në këtë takim theksova se, së pari e konsideroj reformën në sistemin e drejtësisë si reformën më jetike në këtë vend dhe se vlerësoj shumë përpjekjet qeverisë së SHBA dhe komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në këtë reformë. Theksova se është jetike, që kjo reformë të bazohet në rritjen e transparencës, luftës kundër korrupsionit, përgjegjësisë para ligjit dhe mbrojtjen e sistemit nga ndikimi politik, rrugët dhe mënyrat që të mos lejohet që një mazhorancë, cilado qoftë ajo, të ketë në dorë ta bëjë të vetin të gjithë sistemin e drejtësisë. Duke theksuar se e gjykoja të domosdoshme zhvillimin e një një debati më të gjërë dhe më konkret me të gjitha grupet e interesit, u shpreha se mbështes fuqimisht një reformë të bazuar në këto principe.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe problemi i dekriminalizimit. E falenderova shumë ambasadorin Lu, qeverinë e SHBA për mbështetjen e fuqishme në realizimin e këtij proçesi në Shqipëri, edhe ky një kusht tjetër jetik për të ardhmen e vendit.Vlerësova se një progres i pamohueshëm është bërë dhe se shpresoja që paketa ti paraqitet sa më shpejt Parlamentit, si dëshmi e një vuillneti të hekurt për t’u ndarë nga kriminalizimi i shtetit dhe administratës.
Në këtë takim i shpreha ambasadorit Lu shqetësimin për rastin e televizionit Agon Channel, i cili është shembulli më I hidhur se si oligarkët kontrollojnë mediat dhe sillen ndaj tyre. Pasi qeveria sekuestroi Agon Channel, në përputhje me ligjin shqiptar por dhe të çdo vendi, ajo është e detyruar që atë, si çdo sipërmarrje ta mbajë në funksion, të paguajë personelin dhe shpenzimet e përditshme të saj nëpërmjet administratorit. Qeveria, për muaj të tërë nuk pagoi asnjë qindarkë për punonjësit dhe kur e pa se ata po e mbanin edhe pa pagesë televizionin, i preu energjinë elektrike me pretendimin se ky TV nuk e ka paguar, në një kohë kur atë duhet ta paguante vet qeveria që kishte marrë në sekuestro televizionin. Jo më pak tronditëse dhe domethënëse është fakti se mediat e tjera heshtën të detyruara dhe nuk thanë asnjë fjalë për këtë akt të pashëmbullt të ndodhur në këto 23 vjet.
Në takim u diskutua dhe për çështjen e CEZ-it.
Biseda ishte e hapur dhe miqësore. sb
KOHA JONË SONDAZH

