Takimi i SEECP/Meta: Të heqim barrierat e së kaluarës, vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë

I pranishëm  në takimin e XIII-të te Grupit të Punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, që zhvilloi punimet në Tiranë, Meta theksoi se vendet e rajonit duhet të shuajnë barrierat e së kaluarës, të ndërtojnë një histori të re, për të ardhmen dhe jo për kufij.

“Është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal. Në këtë drejtim konfirmoj vullnetin e plotë për të dhënë mbështetje për avancimin e punës dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Mendoj që bashkëpunimi rajonal është një vlerë e shtuar në thellimin e fqinjësisë së mirë por edhe në kapërcimin e barrierave të së kaluarës”, tha Kreu i Kuvendit.

“Zhvillimet e fundit në rajon përforcojnë domodoshmërinë e avancimit në procesin e integrimit evropian të vendeve anëtare të nismës tonë” , tha Meta, duke shtuar se, “duhet të konkretizojmë projektet tona të përbashkëta rajonale edhe në frymën e Konferencës së Berlinit që u mbajt në fund të gushtit”.

Duke theksuar vazhdimësinë e parimeve të kartës së SEECP, theksoi Meta, “prioritetet tona do të fokusohen në përforcimin e bashkëpunimit rajonal të SEEECP”.

 “Institucionalizmin e dimensionit parlamentar të SEECP, përmes Asamblesë Parlamentare, e shohim si një qasje shumë të mirë. Në këtë drejtim konfirmoj edhe një herë vullnetin tonë të plotë për të dhënë ndihmesën tonë në progresin dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore”, u shpreh Kreu i Kuvendit.

Punimet e takimit të XIII-të të Grupit të Punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së u drejtuan nga Kryetari i Delegacionit te Kuvendit te Shqipërisë në SEECP, Taulant Balla.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të kësaj Asambleje si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të ushtrojë mandatin e vet si kryesues i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, gjatë një periudhe vendimtare për organizatën.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit.

Duke e konsideruar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal si parakusht të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, SEECP është një proces unik, i themeluar me iniciativën e vetë vendeve të rajonit, zëri i të cilave është unifikuar për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.

Objektivi parësor i SEECP është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, transformimi i rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, nëpërmjet frymës së solidaritetit dhe në të mirë të qytetarëve të vendeve të rajonit.

Së dyti, krijimi i një Evropë Juglindore, e ardhmja e së cilës projektohet në paqe, demokraci, prosperitet ekonomik dhe integrim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, duke qenë të përkushtuar në vazhdimin e reformave demokratike dhe ekonomike në vendet respektive.

Së treti, përgjegjësia e vendeve të rajonit dhe vullneti i tyre për të punuar ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të përbashkëta për stabilitetin rajonal, për t’ju përgjigjur sfidave të reja të sigurisë dhe eliminimin e shkaqeve rrënjësore, si forcimi i solidaritetit ndërkombëtar, që përfshin pjesëmarrjet në parandalimet e konflikteve, aktivitetet e menaxhimit të krizave, mbështetjen e operacioneve paqësore të ndërmarra nga organizmat e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në kuadër të UN, NATO, OSBE, dhe institucioneve Euro-Atlantike. 

SHKARKO APP