Takimi me Shoqatën “Ishmi”, Meta: Investimet në hoteleri-turizëm, një mundësi për të ndaluar largimin e të rinjve

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë përfaqësues të Shoqatës “Ishmi”, nga të cilët u njoh me idenë interesante për çeljen e kurseve profesionale periodike në fushën e turizëm-hotelerisë, si një mundësi për të ndaluar largimin e të rinjve dhe deri tek propozimi për krijimin e tregjeve me produktet e shëndetshme bio të zonës.

Teksa publikon dhe pamje nga ky takim, përmes rrjeteve sociale, Meta apelon që zëri i banorëve të Ishmit, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të dëgjohet nga të gjithë, pasi, siç thotë Kreu i Shtetit, vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet shpresa, të ndalet shpopullimi dhe të garantohet zhvillimi që meriton Atdheu ynë i përbashkët.

“Vlerat e rralla historike, arkeologjike dhe kulturore të Ishmit burojnë nga lashtësia, ndaj ne ndihemi krenarë për gjithçka që kjo trevë përfaqëson për qytetërimit tonë.

Ishmin e ka bekuar Zoti me pasuri të jashtëzakonshme natyrore, por meriton më shumë vëmendje e mbështetje me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndalimin e shpopullimit nga të rinjtë.

Për të ndarë ide të çmuara me qëllim dhënien e shkëlqimit të merituar të kësaj treve, prita sot me kërkesë të tyre, një përfaqësi të nderuar të Shoqatës “Ishmi”.

I falënderova për kontributin e vyer të dhënë në veçanti në ndihmë të qytetarëve në nevojë të prekur nga pandemia dhe tërmeti, si dhe për përpjekjet e palodhura për mbrojtjen e vlerave dhe traditave të Ishmit.

I dëgjova me shumë kujdes dhe i mbajta shënim të gjitha propozimet e tyre për zhvillimin e zonës, nga mbrojtja e pronave, pasurive natyrore dhe mjedisit, tek ideja interesante për çeljen e kurseve profesionale periodike në fushën e turizëm-hotelerisë, si një mundësi për të ndaluar largimin e të rinjve dhe deri tek propozimi për krijimin e tregjeve me produktet e shëndetshme bio të zonës.

Zëri i banorëve të Ishmit, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të dëgjohet nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet shpresa, të ndalet shpopullimi dhe të garantohet zhvillimi që meriton Atdheu ynë i përbashkët”, shprehet në mesazhin e tij Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

SHKARKO APP