Talat Xhaferri: Shqipëria, vendi unik që duhet marrë shembull për bashkëjetesën fetare
Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Feja si instrument për paqen”, që po organizohet në Tiranë.
Në fjalën e tij, Xhaferri tha se Shqipëria është vendi unik dhe që duhet marrë shembull për bashkëjetesën fetare.
Sipas tij, nëse feja përdoret siç është shkruar, mund të prodhojë vetëm të mira, por nëse përdoret për të përçarë, atëherë duhet parandaluar.
“Praktikimi i një feje kurrë nuk guxon të jetë në dëm të një feje tjetër. Edhe liria e fesë iu nënshtrohet rregullave të përgjithshme. Fakti që jemi tubuar në Shqipëri, dërgon një mesazh të fuqishëm, se ky vend është unik dhe shembull për bashkëjetesën e religjioneve të ndryshme.
Duhet marrë model. Religjioni, nëse përdoret ashtu siç është shkruar pa përdorur fjalor urrejtjeje, mund të prodhojë vetëm të mira. Por, nëse përdoret për të përçarë, duhet të parandalohet”, tha Xhaferri.