Talenti i Benfikës merr shtetësi shqiptare për të mbrojtur ngjyrat kuqezi, Veliaj: Jemi pjesë e një skuadre
Adrian Bajrami cilësohet si një nga lojtarët me të ardhme premtuese në Portugali. I lindur në Zvicër dhe lojtar i Benfikës, Bajrami u betua së bashku me 10 shtetas të tjerë, para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar, duke zgjedhur para kombëtares helvete, përfaqësimin e ngjyrave kuqezi.
Në ceremoninë e betimit për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, kryebashkiaku Veliaj tha se ky akt shënon një lloj dakordësie për të punuar si një skuadër për emancipim dhe zhvillim.
“Ky akt nuk është vetëm nënshkrimi i një shtetësie, është edhe dakordësia jonë e përbashkët, se do jemi pjesë e një misioni, do jemi pjesë e një skuadre, e një beteje për emancipim, progres dhe për zhvillimin e vendit dhe të kombit tonë. Sot fillon një rrugë e re, një rrugë ku do të jemi të gjithë bashkë, me miliona të tjerë, për ta bërë këtë vend më të bukur, për ta bërë këtë komb më të ndritur, edhe për ta lartësuar të gjithë atë që është qenia shqiptare”, deklaroi Veliaj.
Teksa nënvizoi se destini i qytetit është zhvillimi dhe rritja e tij, Veliaj u shpreh se Tirana u ofron të gjithëve shansin për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

