Taulant Balla: Në Dibër Lulin e mundi Rama i vogël
Nga Taulant Balla*/Falenderojmë në radhë të parë të gjithë banorët e Dibrës, edhe18 mijë e qindra votuesit dhe votueset e Muharem Ramës, edhe 14 mijë të tjerët, të cilët morën pjesë në këtë proces zgjedhor.
Nuk është më habi.
Por sigurisht është e pandodhur në histori që një parti, që dikur ka qenë e madhe, të marrë pjesë në një garë elektorale,
në fund të saj të falenderojë vetëm votuesit e saj dhe të tjerët t’i fyejë e ofendojnë,
duke shkelur moralin bazë në demokraci
se kush fyen shumicën që vendos, ka fyer dhe ofenduar demos-in, sovranin popull.
Si ka mundësi që pas një diference kaq të thellë,
Partia Demokratike, partia e Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos,
një parti që për kaq shumë vite ka marrë besimin e dibranëve,
tu kthehet dibranëve me atë gjuhë dhe të akuzojë jo disa njerëz, por një popull të tërë si të ishin bagëti dhe jo njerëz, familjarë, vëllëzër shqiptarë?
Si ka mundësi që një parti, më e madhja e opozitë, të arrijë deri në këtë pikë,
që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore dhe të fillojë një përmbysje e madhe
që pasi shpalli fitoren “pa-diskutuar” në mbyllje të procesit të votimit,
pas numërimit të votave iu turret dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit?
Kam një pyetje për ju?
Një nga drejtuesit e partisë tuaj, pasi tha e cfarë s’tha për moralin e dibranëve, nuk hezitoi të bëntë edhe këtë deklaratë:
“Për 20 vitet e ardhshme nuk do ndërtohet rruga, pasi siç duket, (dibranëve) nuk ju duhet as rruga e as dinjiteti”.
Turp, sa turp.
Kolege dhe kolegë deputetë,
Vota në Dibër ishte një besim i jashtëzakonshëm për Kryetarin e ri të Bashkisë, por edhe për aleancën tonë, pas 3 vitesh qeverisje.
Dhe kjo nuk është eufori.
Ne shohim thjeshtë dhe vetëm një detyrim të shumëfishtë pas kësaj vote.
Këtu qëndron pikërisht edhe dallimi ynë me ju.
Ne dhe kandidati ynë Muharrem Rama diskutonim me dibranët si do t’i shërojmë plagët e Dibrës,
Ndërsa ju ju duhej vota e Dibrës si burim urrjetje dhe mllefi, në kanalin e Shqupit.
Sot po dëgjojmë në këtë sallë të njëjtat fjalosje si 3 vite më parë, si një vit më parë.
Që Partia Demokratike ka bërë shumë për popullin, por populli ia fut kot që nuk e do.
Që aleanca e “qelbësirave” me popullin, mundi Partinë Demokratike.
Që aleanca e krimit me popullin, mundi përsëri Lulin dhe atë që ka mbetur nga Partia Demokratike.
Që paligjshmëritë ndikuan në rezulatatin e zgjedhjeve.
Por le të jemi korrektë, me ata që panë me sy dhe dëgjuan me veshë në Dibër.
U pa qartë në Dibër se si PD u investua deri në paligjshmëri për të arritur një rezultat pozitiv.
Vetë Luli tha se në Dibër ishte e gjithë Partia e mbetur Demokratike.
Ishte edhe Xhelal Mziun e famshëm, i arrestuar për korrupsion etj, etj,
Ishte dhe Sefgjini i famshëm i SHIK-ut famëkeq të Gazidedes,
Ishte edhe Dasho Aliko – kryeagronomi i komunës së hashashit në Lazarat,
E të tjerë e të tjerëtë inkriminuar që nuk ngurruan të ushtronin edhe dhunë ndaj qytetarëve.
Natyrisht nuk kishte si të mungonte arroganca e deputetë, të cilët kërconin me armë dhe godisnin me grushta.
Aq bezdisëse ishte sjellja e grupeve të zjarrit të PD, saqë në kafetë e fshatrave pas orës 8 të darkës shkonin dhe u ulnin muzikën e lokalit.
Aq e prekshme ishte arroganca, saqë frymëzoi dhe këngë për Lulin:
“O Lul Basha, more hutaq, s’rrihet Dibra mer me kërbaç”
Arroganca vazhdonte me makinat e shtrenjta, xhirimet e gomave në orët e vona të natës për të mbjellë tmerr tek votuesi i majtë ose ai i pavaruri.
Aq e pamoralshme ishte sjellja e Lul Bashës në Dibër saqë shkoi deri aty saqë shkoi dhe kërkoi edhe votat e familjarëve të Shukri Xhelilit.
Kjo nuk do të ishte turp në Hollandë, or Lul, por jo në Dibër.
Pushteti që ju jepte arma në makinën imunitare të deputetit apo makina super e shtrenjtë, i bëri eksponetët e PD-së që të mos e kuptonin gabimin e madh që po bënin.
Në një zonë ku varfëria ishte evidente, të shkosh mes luksit dhe të kërkosh votën është padyshim e tepruar.
Pikërisht kjo arrogancë e PD-së, ju bëri alergji dibranëve, të cilët u ndeshën edhe me 2 pamje simbol të fushatës që qarkulluan në të gjitha mediat.
Momenti kur Sherefedin Shehu me një arrogancë të panevojshme i flet policit me fjalët
“Provoje, guxo afrohu, guxo”.
dhe momenti kur kandidati i ASHE-së la në mes fushatën për t’i mjekuar plagën administratorit të njësisë të dhunuar nga gangsteri i PD.
Ky padyshim ishte një moment ku dibrani pa nga afër arrogancën e PD-së, më keq akoma, të krerëve të saj.
Rezultati i zgjedhjeve nuk është as më pak e as më shumë se një përgjigje “dibrançe” ndaj arrogancës së PD-së, e cila me filozofinë e vjetër dhe me mjetet e vjetra shkoi t’i bënte karshillëk dibranëve në shtëpinë e tyre.
Jua thashë edhe një ditë para zgjedhjeve, po jua them edhe sot.
Nuk bëhet dot jabanxhiu i parë në Dibër.
Sa më shumë PD-ja dyndej në Dibër, aq më shumë rritej antipatia ndaj saj.
Rezultati është tregues i pakundërshtueshëm se sa më shumë PD-ja turrej në Dibër, aq më shumë largohej Dibra nga PD-ja.
Është poashtu tregues i pakundërshtueshëm se sa më shumë Basha thotë se po largohet nga politika e Berishës, aq më shumë politika e doktorit ngulitet në PD.
Këtë e tregoi në Dibër këtë fushatë.
Këtë e tha edhe PD e Dibrës.
Kandidatin Sherefedin Shehu nuk e caktoi PD e Dibrës. Por urdhëri i Sali Berishës.
Kjo politikë ka marrë të njëjtën përgjigje të qartë nga qytetarët në 2013-tën dhe më pas në 2015-ën.
Vazhdimi i saj në këto zgjedhje solli pasojën e pritshme, atë të thellimit të rezultatit për kandidatin e majtë.
Kjo ishte gafa e PD, strategji e vjetër (që kishte treguar që është e dështuar) në një betejë të re.
Basha kërkoi rezultat të ndryshëm me një formulë që e kishte nxjerrë 2 herë humbës.
Në një proces të mbarëvajtur që ka pasur shumë pak probleme krahasuar me ç’jemi mësuar të shohim në zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri, mbetet aspak për të kontestuar por shumë për të reflektuar nga ana e PD-së.
E cila për fatin e saj të keq, duke u angazhuar kaq fort në Dibër veçsa tregoi se alternativë të sajën ka dhunën dhe arrogancën.
Që të dyja këto, qytetarët i kanë mundur e këtë fatkeqësisht mesa duket PD nuk e ka kuptuar.
Në Dibër Lulin e mundi Rama i vogël.
Jam i bindur se nëse sot ka garë në PD, me Lul Bashën fiton Shinasi Rama.
*Fjala e plote e Nenkryetarit te Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në Dibër.
KOHA JONË SONDAZH

