“Të hapen sa më shpejt spitalet rajonale”! Mjekët ngrenë shqetësimin te Basha: Gjithë bota po fut testet e shpejta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me disa mjekë specialistë për të diskutuar situatën e rëndë që po kalon vendi nga pandemia e COVID-19.

Basha që në fillim të bisedës garantoi mjekët se mbështetja për ta në këtë betejë është maksimale.

“Detyra jonë është t’i japim mbështetje maksimale për ju, për infermierët, për të gjithë stafin shëndetësor. Nëse ka një garanci për t’u përballur me sukses në këtë betejë, kjo është trajtimi me seriozitet i paralajmërimeve dhe kërkesave tuaja dhe pajisja e juaj me gjithçka që shteti mund t’ju pajis. Prioritet i prioriteteve është jeta dhe shëndeti. Këto janë të paçmuara, këto janë të pazëvendësueshme, gjithçka tjetër është sekondare”, tha Basha.

Mjekët e ftuar në këtë takim shprehën pikëpmjet e tyre lidhur me situatën dhe mënyrat se si mund të përballohet gjendja e rënduar dhe të garantohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.

Lutfi Lisha: Por për shkak të situatës që është, njerëzit e kanë të nevojshme. Duhet patjetër të përdorin oksigjeno-terapinë. Sofizma të tilla që nuk bën mrekullinë oksigjeno-terapia, për mua janë të papranueshme. Në këtë aspekt do të thoja që ndoshta do të ishte mirë sikur të krijoheshin reparte ku nuk ka nevojë për ndjekje intensive në atë staf mjekësor. Por pacientët që janë në gjendje klinike disi të stabilizuar që kanë nevojë për një oksigjeno-terapi, apo përdorimin e anti-kuagulantëve, një personeli infiermieror pa shumë përvojë të themi në pjesën e COVID-it, por me njohuri të përgjithshme të ndihmës të personelit infiermieror, mund të ishte krejt e duhura për t’u dhënë asistencën asaj kategorie pacientësh. në qoftë se është diçka e veçantë, teknologjia e sotme ta lejon secilin nga mjekët në rrethe që të konsultohet me specialistët në Tiranë. Është shumë e thjeshtë, por ama trajtimi i disa pacientëve që ndoshta nuk kanë nevojë për ardhjen në Tiranë për terapinë intensive që mund të jetë duhet terapi specifike në Tiranë mund të bëjë shumë mirë nëpër rrethe. Ikim nga rrethet vijmë tek Tirana pasi ktu aq më keq mungon edhe spital rajonal.

Edlira Beqiri: Mendoj se sa më shpejt duhet të vihen në punë spitalet rajonale ashtu siç janë, me atë infrastrukturë që kanë. Mjekët nëse kanë nevojë për tu trajnuar mundësitë e trajnimit në fakt duhet të ishin shfrytëzuar deri tani gjithë këto muaj që ishin në dispozicion për të trajnuar mjekët nëpër spitalet e rretheve. Nuk është zgjidhje kjo që kanë bërë deri tani duke i sjellë gjithë të sëmurët anë e mbanë Shqipërisë duke i sjellë në Tiranë.

Leon Shpataraku: Duke futur në lojë spitalet rajonale, duke shtuar testimet, çfarë ndodh? Që aty fillon momenti kur testohet individi, kapet vatra dhe arrihet që që në fazën e parë të ndalohet fluksi. Është bërë si dinamikë një e dy a ta bie në Tiranë! Ku do e biesh në Tiranë? Po këtë nuk e merr askush përsipër. Kështu që dalja jashtë loje e spitaleve rajonalë unë mendoj që e ka sjellë gjithë këtë lloj rëndese në Tiranë sepse edhe në media thuhet që vatra më e rëndë është Tirana. Tani Tirana normalisht që është një vend me popullsi të madhe si kryeqytet, por duke pasur ndihmesë nga spitalet rajonalë unë mendoj dhe e them me bindje të fortë se tani hyjmë në një fazë që kalon 8-9 muaj dhe nuk po them se jemi përfekte, specialistë, por japim opinione duke marrë në konsideratë dinamikën e rasteve.

Gent Kasmi: Tani edhe pse perceptimi është që pandemia është në kulmet e veta, një nga treguesit më besnikë të ecurisë së pandemisë është testimi. Dhe unë si i fushes që jam kam vënë re që ndonëse pozitiviteti i këtyre testeve rritet dita ditës, në një farë mënyre numri i testimeve të përgjithshme nuk ndryshon. Është diku te 2000-2500, ndoshta pak më tepër. Edhe duke patur parasysh këtu që në këtë sektor, në këtë fushë është future edhe sektori privat çka do të thotë që një pjesë e këtyre analizave bëhet kundrejt pagesës. Fakti që numri total i testimeve nuk ndryshon, tregon që në një farë mënyre kjo fushë, pra diagnoza, testimet tashmë është e saturume. Domethënë nuk ka kapacitete reale diagnostike për zhvillimin e testeve.

Nertila Gjonaj: Mjekët këtu janë specialistë dhe janë thjeshtë mjeke specializante në QSUT. Kam patur mundësinë që mund të themi që më tepër kam qëlluar që të jem këto 10 muaj të pandemisë dhe mjeke familje dhe mjeke në QSUT si specializante. Gjatë kohës që po ju dëgjoja në mbrëmje në Opinion u ndjeva vërtetë keq nga ato replica që po bënin, unë nuk është se kisha një numër të madh rastesh të tilla por e kam patur një rast që më ka ardhur shumë keq, është diagnostikuar me tampon pozitiv COVID-19 dhe ka ndërruar jetë në spital dhe në skedën e vdekjes së zotërisë shkaku fillestar është shkaku I ndërmjetëm me ndërlikime dhe shkaku definitive është shënuar infarct akut miokardi dhe nuk është përmendur gjëkundi që ai ka qënë I infektuar me infeksionin COVID. Nuk mu duk aspak normale dhe realisht është tamam të thuash të fshehësh diçka sepse ai nuk është se kishte sëmundje bashkëshoqëruese përveç obezivitetit dhe nuk e di.

Daniel Thereska: Duhen shtuar tamponët që të kuptohet situata më mirë ku është. Pastaj teknikalitetet si bëhen, ku bëhen, mjafton të hapim internetin, google-in, të flasim me kolegët tanë që flasim përditë nga jashtë edhe do e kuptojmë që ka tamponë që bëhen shpejt, që bëhen avash, që bëhen vonë me specifitete të ndryshme, rëndësi ka të bëhen e të krijohet një panoramë e përgjithshme se është një çikë terr informativ. Gjithashtu të përfshihen në këtë situatën e llogarisë sē tamponeve edhe ata që bëhen në privat, por këta në privat mbasi te kolaudohen një çikë. Të kolaudohen një çikë edhe të shihen pak dhe çmimet se gjërat që zhdoganohen me 1 mijë lek, 2 mijë lek dhe pastaj iu shiten të tjerëve 120 mijë lek ose 120 euro ka një çikë problem dhe ai një çikë problem është GDP-ja që thotë që shqiptarët 300 mijë e kanë.

David Bellalla: Ajo që doja të shtoja është e para që ne aktualisht kemi perceptim shumë të gabuar të situatës për sa i përket shifrave, çdo njeri nga ne është, besoj që Ka ndjesinë që të paktën gjysma e njerëzve që njeh o e kanë kaluar ose janë duke e kaluar Covid-in, pra nuk ka asnjë përafrim me numrat 35 mijë e 36 mijë këtu duhet të jetë shumë më tepër. Do kaloj ke numri i vdekjeve. Harrojmë dy gjëra e para numri I vdekjeve është vetëm numri I vdekjeve që vdesin në spitalet COVID, sa njerëz vdesin në shpi janë të harruar në këtë numër. Sa njerëz vdesin nga patologji të tjera të cilat po rëndohen nga ky shtrembërim i madh i sistemit.

Elvis Dervishi: Do doja të theksoja këtë rritjen e burimeve njerëzore sepse mora shkas nga ajo që tha Darieli për infermierët, për mungesën e personelit në përgjithësi, por sidomos infermierët. Se nga njëra anë ne arrijmë të konstatojmë por problemi është të japim dhe propozimet për zgjidhjen e tyre. Cilat janë mundësitë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në mjekë dhe do të jemi ne që do të japim propozime konkrete. Si do të rrit ky numër i personelit? Një pikë tjetër që shënova ishte dhe testimi. Testimi i shpejtë që tha doktori i cili është shumë i rëndësishëm. Gjithë bota e ka futur tani Franca ndoshta dhe në farmaci. Pra personat shkojnë dhe bëjnë një testim të shpejtë, pra free. Amerika dëgjova diku se në supermarket mund ta bësh një testim të shpejtë për ashtu. Ky është që e tha dhe kryetari testim i shpejtë por edhe gjurmimi epidemiologjik nëpër rrethe sidomos.

Kryetari Basha, pasi i dëgjoi mjekët, tha se koha sot është të bëhet gjithçka për jetën dhe shëndetin e shqiptarëve, pastaj do të ketë kohë për përgjegjësi morale, politike e ligjore për përgjegjësit e kësaj situate.

SHKARKO APP