Të hënën nis Kuvendi, Boçi për “KJ”: Boll me Perandorinë e krimit, aksioni opozitar dhe 13 Tetori

Nga: Redjon Shtylla

Nesër Kuvendi i Shqipërisë nis punimet për sesionin e ri por demokratët janë jashtë. Maxhoranca dhe “opozita e re”, do të ulen në Parlamentin ku opozita e quan të paligjshëm. Në një prononcim për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, tregon sesi gjendet PD-ja në këtë rifillim të jetës politike, ku situata është më shumë se e tensionuar. “Kuvendi e ka humbur legjitimitetin e tij prej kohësh dhe i ngjason një teatri absurd që merr vendime absurde. Nisja e punimeve të tij është një nisje për të gjetur se si t’ia punosh shqiptarëve prapa kraheve e si të bjerresh demokracinë. Për ne ai Parlament por dhe për Kushtetutën, nuk ekziston”.

I pyetur sesi do të jetë aksioni opozitar në shtator, pas denoncimeve përgjatë muajve të verës, ish-deputeti bën të ditur se është vedimmtar nëse vendi do shpallet Perandori e Krimit ose do të futet në rrugën e normalitetit demokratik. “Shtatori është muaji vendimtar për aksionin tonë politik por dhe muaj vendimmtar për zgjidhjen e udhëkryqit në të cilën ndodhet Shqipëria. Ai do të përcaktojë qartazi nëse Shqipëria do shpallet të jetë perandoria e krimit të organizuar dhe e drejtuar ende nga një organizatë kriminalo-politike, apo do të hyjë në rrugën e normalitetit demokratik e një vendi që aspiron dhe natyralisht është pjesë e vlerave europiane”.

Duke ju rikthyer edhe njëherë protestave si mjet demokratik për të kundërshtuar një regjim politik, Boçi nënvizon se: “Ndaj dhe përgjegjesia jonë politike në ditët në vazhdim dhe angazhimi ynë është shumëfishuar. Protestat do vazhdojnë si shprehje e zemërimit qytetar që ka mbushur kupën. Faktet e denoncuara dëshmojnë kontratën e Ramës me krimin dhe domosdoshmërinë e largimit të tij”.

Nga ana tjetër, opozita vijon të theksojë se njeh dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. I pyetur sesi është PD-ja përballë kësaj date dhe këtyre zgjedhjeve, ish-deputeti pohon se përveç se opozita është e unifikuar në qëndrimin e saj, akzioni nuk do të jetë i fokusuar vetëm tek protestat.

“13 Tetori njihet si datë Kushtetuese dhe PD është e gatshme që sapo KQZ të shkeputet nga urdhëri politik dhe të fillojë të zbatojë kushtetutën, sapo Rama të ikë e të krijohet qeveria transitore, të jetë pjesë e një procesi zgjedhor të drejtë e të ndershëm lokal e politik njëkohësisht. Opozita është e unifikuar në qëndrimin e saj dhe do të realizojë të gjitha format e reagimit opozitar që shkojnë nga protesta e vazhdojnë me kontaktet me miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë”.

SHKARKO APP