”Të krijohet shteti i Palestinës”, Rama në sy të Erdoganit tregon pikën ku ndahet Tirana nga Ankaraja

Gjatë konferencës për shtyp krah presidentit turk Erdogan, kryeministri Edi Rama se është Hamasi dhe terrori i ushtruar prej tyre, është pika ku ndahen Tirana dhe Ankaraja sa i përket qëndrimit për konfliktin mes Izraelit dhe Gazës. Rama tha se Shqipëria është pro një armëpushimi që duhet të kushtëzohet me lirimin e pengjeve dhe zgjidhjes për paqe afatgjatë me dy shtete, duke pranuar se duhet të krijohet shteti i Palestinës.

”Në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm, sepse duke qenë tërësisht të vendosur bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizimit, kundër terrorit. Për ne terrori në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm. Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim, që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore”, tha Rama.

Për më tepër, kreu i qeverisë shtoi se ai dhe presidenti Erdogan ndajnë të njëjtin qëndrim për faktin se populli palestinez ka të drejtën të jetojë i lirë. ”Ne bashkë ndajmë me Presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore e që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, u shpreh kryeministri.

SHKARKO APP