”Të lirë” e Lea Ypit vjen edhe në shqip, Veliaj: Një libër që duhet lexuar nga të rinjtë e Tiranës
“Të lirë”, romani autobiografik i autores dhe akademikes Lea Ypi, botuar nga prestigjiozja e librave “Penguin Books” në Londër dhe pritur mjaft mirë nga kritika e shtypit elitar britanik, ka ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në inaugurimin e përkthimit që po botohet edhe në 15 gjuhë të ndryshme të botës, u shpreh se ky libër është një “must read” sidomos për të rinjtë e Tiranës për të njohur më mirë rrugëtimin që shoqëria përjetoi gjatë viteve të tranzicionit, ku të qenit “i lirë” merr kuptimësi multidimensionale.
“Më në fund ka një testament për t’i treguar një brezi që, ndoshta kurrë nuk do kuptojë disa nga çudirat që bënim në atë kohë. Kështu që të faleminderit, ia ke arritur në një mënyrë të jashtëzakonshme! Dhe fakti që është përkthyer me mjeshtëri nga vetë Lea edhe në gjuhë të tjera meriton shumë mirënjohje. Do të doja që të gjithë ta kishin kuriozitetin për ta blerë librin dhe për ta ruajtur si testament të gjeneratës sonë”.
Lea Ypi, profesore e Teorisë Politike në London School of Economics, përmes kësaj vepre sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Në libër shpërfaqet jeta e autores nga fillimi i viteve 1980 e deri në vitin 1997, në vendin më të izoluar e më të varfër në Europë.