Të majtët mbledhin asamblenë për largimin e Voltana Ademit
Beteja për largimin e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi nga të majtët vijon ende. Komiteti Drejtues i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ka bërë një kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme të martën në orën 10:30.
Qëllimi i kërkesës është për mbrojtjen e interesave të shoqatës së bashkive të Republikës së Shqipërisë gjatë përfaqësimit të saj me 23 qershor në Gjykatën Kushtetuese, ku shqyrtohet vlefshmëria e zgjedhjeve vendore të 2019-ës.
Drejtuesit e bashkive të majta janë pjesë e shoqatës për autonomi vendore e drejtuar nga Erion Veliaj. Pas bojkotit të zgjedhjeve nga PD në 2019, bashkitë e djathta, veç Shkodrës, u bënë me drejtim socialist dhe janë ato që kërkojnë largimin e Voltana Ademit që siç konstatojnë po qëndron përtej afateve në drejtim të shoqatës. Pak ditë më parë Ademi vuri në dijeni ndërkombëtarët se qëllimi i kësaj lëvizjeje është tërheqja e padisë ne Gjykatën Kushtetuese.