Tensione gjatë konferencës në Beograd, Rama: Kosova e pavarur. Vuçiç: Ky është provokim

Ai ka kërkuar nga qeveria serbe që të respektojë dhe të përmirësojë marrëdhëniet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës:

I nderuar kryeministër Vuçiç. Rastësia e desh që një ditë pas kremtimit të 25-vjetorit të Murit të Berlinit, të ngrihet këtu flamuri kombëtar i shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit. Do na duhet vision për të qenë në Bashkimin Europian dhe kurajo, por jo më shumë se vizioni dhe kurajo e Bashkimit europian. Do na duhet besim, por nuk do të jemi vetëm që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh. Ne kemi nevojë për Europën e bashkuar, por edhe Europa e bashkuar ka po aq nevojë për ne ballkanasit.

Paqja duhet të na japë të gjithëve kurajo për t’u ndarë nga rruga e vjetër. Ne shqiptarët e kemi edhe këtë vizion, edhe këtë kurajo. Ne ju shtrijmë dorën për një bashkëpunim të sniqertë, se fëmijët tanë nuk do të vuajnë nga e kaluar.

Ne duam ta ngrejmë bashkëpunimin në një tjetër nivel. Aktualiteti i vështirë në Europë dhe sfidat në Ballkan, do të na testojnë për të ardhmen. Ne do të bëjmë çmos të komunikojmë dhe bashkëpunojmë intensivisht. Ekonomitë tona janë të vogla, por ekonomia jonë si rajon nuk është një ekonomi e vogël. Buxhetet tona janë të vogla, por së bashku ne nuk jemi të vegjël për t’u dëgjuar dhe mbështetur nga Bashkimi Europian.  Është një shans për vendet tona, që qeverisin nga një gjeneratë tjetër. Dhe për këtë shpresoj që gjenerata e e re e politikës serbe ta shoh me një sy tjetër Luginën e Preshevës.

Ne duam që Beogradi të respektojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pasi është një e drejtë që ata e meritojnë. Për Kosovën kemi dy qendrime të ndryshme, por realiteti është një: Kosova e pavarur, e njohur nga 108 vende të botës. Është nje realitet i pakthyeshëm dhe ajo duhet respektuar.  Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qendrueshëm dhe më të paqtë. Ne e çmojmë dhe nxisimin dialogun Serbi-Kosovë. Ky dialog është një sukses, por ai është në radhë të parë një vlerë e krijuar nga lidershipi i dy shteteve”, tha Rama. 

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç nuk e ka pritur mirë përmendjen e Kosovës nga ana e kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp. Gjatë kohë që Rama fliste për Kosovë, në mënyrë demonstrative Vuçiç ka hequr nga veshi kufjen e përkthimit, duke mos e dëgjuar pjesën tjetër të fjalimit. Ndërsa më pas, gjatë fjalës së tij, ai ka thënë se nuk e priste këtë provokim, pasi nuk ishte diskutuar për të folur për këtë temë.

Nuk kam pritur një provokim nga Rama që do të flisnim për Kosovën. Unë nuk do lejoj askënd ta uli këtu në Beograd Serbinë. Më vjen keq që Zoti Rama e shfrytëzoi këtë konferencë për të folur për tema që s’duhet të flasim. Nuk do të lejoj askënd që ta ulë Serbinë. Sa i përket incidentit të ndodhur në ndeshjen Serbi-Shqipëri, unë mund të them se droni ka qenë i organizuar. Ne do e dënojmë këtë fakt. Edhe njëherë më vjen keq që po flasim për kosovën, pasi nuk ka qenë dëshira ime të flasim për këtë temë”, tha Vuçiç pas fjalës së Ramës.

Gjatë pyetjeve të gazetarëve, Vuçiç përmendi disa herë se qëndrimi i Ramës për Kosovën ishte provokim dhe ai nuk mund të lejonte diçka të tillë. Tensioni mes dy delegacioneve është parë dhe në mbyllje të konferencës. Kryeministri Vuçiç nuk ja ka dhënë dorën kryeministrit shqiptar, në përfundim të konferencës. 

Vuçiç: Droni një ngjarje e mirëorganizuar. Reagon Rama: Politika e shteteve nuk lind në stadiume

Pjesë e konferencës ka qenë dhe çështja e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kryeministri serb Aleksander Vuçiç ka shmangur komentet në lidhje me hetimin nga autoritetet serbe për dronin në ndeshjen Serbi-Shqipëri të luajtur në stadiumin e Beogradit. “Sa për temën nuk duam të flasim për të kaluarën por për të ardhmen. Droni ishte një ngjarje shumë mirë e organizuar, shumë ditë më parë ka pasur organizim. Ne e dënojmë këtë akt”,- tha Vuçiç.

Ndërsa Rama, u shpreh se politika e shteteve kurrësesi nuk mund të bëhet në një fushë futbolli. “Politika e shteteve nuk lind, nuk zhvillohet dhe diktohet në një fushë futbolli. Ajo që ndodhi është tregues i brishtësisë së jashtëzakonshme, i një marrëdhënie të re që ne kemi synimin ta vendosim.  Qeveria e Shqipërisë dhe unë si kryeministër kemi vullnet të plotë ta jetësojmë përmes një përpjekje të përbashkët konkrete që njerëzit tanë serbët dhe shqiptarët, fëmijët tanë, serbët dhe shqiptarët të marrin përfitimin e madh nga potenciali i një paqeje të arritur.

Ne nuk jemi armiq të njëri-tjetrit, kemi armiq të përbashkët, varfëria, borxhi publik e deficiti. Sfida jonë e përbashkët është që të bashkojmë forcat të flasim me një gjuhë, sic kemi ne nevojë për Europën, Europa ka nevojë për Ballkanin”.

Mediat serbe: Incident diplomatik

Mediat serbe kanë folur për një bisedë mjaft të vështirë mes kryeministrave shqiptaro-serb gjatë konferencës për shtyp Beograd. Përmendja e Kosovës nga kryeministri Rama dhe reagimi i Vuçiç ka pasuar një lumë titujsh e komentesh në mediat serbe, të cilat e kanë cilësuar këtë një incident diplomatik. “Unë nuk prisja një provokim nga Rama. Nuk do të lejoja një provokim këtu në Beograd”. Me këtë titull e hap shkrimin e saj RTS, televizioni shtetëror serb.

Ndërsa B92 thotë: “Unë nuk do të lejoj askënd të na poshtërojë në Beograd”. “Kosova është pjesë e Serbisë, unë jam i kënaqur që mund ta përsëris para zotit Rmaa, por ndihem keq që kryeminisri shqiptar shfrytëzoi rastin për të përmendur Kosovën këtu në Beograd”, shton B92. Edhe Tanjug flet për një bisedë jo fort të lehtë midis tyre duke shtuar se kryeministri shqiptar ka thyer rregullat strikte të shtetit pasi abuzoi me besimin e kryeministrit serb duke përmendur Kosovën në fjalën e tij. “Rama thyen protokollin, Vuçiç: Unë nuk e pranoj poshtërimin”. Po ashtu edhe e përditshmja “Kurir” ka shkruar: “Rama provokon Vuçiç. Vuçiç përgjigjet: Nuk lejoj askënd të na fyejë në Beograd, Kosova është Serbi.” 

SHKARKO APP