Tërmeti, Basha: Prej 1 jave njerëzit në Borizanë flenë jashtë (FOTO)
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vijon takimet me banorët e prekur nga tërmeti. Nga Borizana pak km larg Thumanës, Basha pa nga afër gjendjen duke theksuar faktin se në këtë zonë asnjë inxhinier dhe asnjë ekspert nuk ka shkruar për të parë situatën e rëndë.
”Ata që kanë mbetur jashtë vëmendjes janë shumë. Në Borizane pak kilometra larg Thumanës, banorët që u janë dëmtuar shtëpitë kanë fjetur prej 1 jave nën streha plastmasi. Familjet e dëmtuara presin vlerësimin e banesave nga ekspertë dhe inxhinierë por deri më sot askush nuk ka ardhur”.
Nga ana tjetër, Basha thotë se banorët po marrin borxhe, pasi atyre nuk ju kanë dërguar ndihma. Ndaj kreu i PD-së, bën thirrje që grupet e vlerësimit të vijnë menjëherë në këtë zonë.
”Më thanë se po detyrohen të marrin borxhe sepse shteti nuk po kujtohet tu vijë në ndihmë dhe nuk kanë ku të shkojnë. Falenderoj kontribuesit dhe donatorët që janë të vetmit që kanë shpërndarë ndihma në këtë zonë dhe bëj thirrje për shtimin me urgjencë të grupeve të vlerësimit në terren me qëllim përmbylljen sa më parë të vleresimit profesional të gjendjes së banesave. Koha nuk pret”,-tha më tej Basha.