Tërmeti shkatërrues, Kryemadhi: Solidaritet, situata shumë e rëndë
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, përmes një mesazhi të publikuar në facebook, shpreh ngushëllimet për familjarët që kanë humbur të dashurit e zemrës në këtë fatkeqësi. Teksa thotë se sot është ditë për të qenë pranë njëri-tjetrin, kryetarja e LSI-së ka një mesazh për strukturat shtetërore. ”Gjej rastin të shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë ata, që po kontribuojnë për të shpëtuar jetët e njerëzve. Të gjithë personelin mjekësor, mjek dhe infermierë që po trajtojnë të plagosurit, punonjësit e emergjencave civile, zjarrfikësit, punonjësit e policisë së shtetit dhe anëtarët e forcave të armatosura”,-shkruan ndër të tjera Kryemadhi në facebook.
Postimi i plotë
Qytetarët shqiptarë po përballen sot me një situatë shumë të rëndë si pasojë e një tërmeti të paprecedentë. Shpreh ngushëllime nga zemra për të gjithë familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë fatkeqësi natyrore dhe dhimbja ime bashkohet me dhimbjen e tyre.
I uroj shërim të shpejtë të gjithë të traumatizuarve dhe të plagosurve. T’i lutemi Zotit të na japë forcë dhe kurajo për të përballuar këto momente të vështira për të gjithë ne.
Gjej rastin të shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë ata, që po kontribuojnë për të shpëtuar jetët e njerëzve. Të gjithë personelin mjekësor, mjek dhe infermierë që po trajtojnë të plagosurit, punonjësit e emergjencave civile, zjarrfikësit, punonjësit e policisë së shtetit dhe anëtarët e forcave të armatosura.
Çdo minutë është e shtrenjtë në këto momente, ndaj mos të kursehet asgjë dhe të vihet në dispozicion gjithçka, që kjo fatkeqësi kaq e rëndë të përballet me sa më pak humbje jete njerëzore. Sot më shumë se kurrë na duhet solidaritet me njëri-tjetrin! Zoti e ndihmoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!