The Economist: SPAK po rrëzon ”peshqit e mëdhenj”
Nga: The Economist
Në Tiranën e viteve 1930, siç shkruan Lea Ypi, një akademike shqiptare, në një libër që pritet të botohet së shpejti, banditët debatonin nëse korrupsioni ishte “shkaku i mjerimit shqiptar apo pasoja më e natyrshme e tij”. Të njëjtin argument mund ta dëgjosh edhe sot në kryeqytetin e Shqipërisë. Një gjë, megjithatë, ka ndryshuar: për herë të parë në historinë njëqindvjeçare të shtetësisë së Shqipërisë, një njësi e pavarur kundër korrupsionit po arreston politikanë, zyrtarë dhe kontrabandistë droge, duke vepruar, me sa duket, pa frikë apo favorizim.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi punën në vitin 2019. Sipas sondazheve të opinionit, 76% e shqiptarëve i besojnë asaj, duke e bërë SPAK-un institucionin më të besuar në vend. Gjithnjë e më shumë, elita politike e Shqipërisë, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, po kapen në rrjetën e saj. Kryeministri Edi Rama nuk është më aq entuziast sa dikur, kur SPAK arrestonte kryesisht kundërshtarët e tij.
Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpiak Sali Berishën, një ish-president dhe aktualisht drejtues i partisë kryesore të opozitës. Ai është në gjyq për korrupsion. Po ashtu, vitin e kaluar u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president dhe aktualisht udhëheqës i opozitës. Edhe ai akuzohet për korrupsion. Ish-ministra të qeverive të zotit Rama janë arrestuar gjithashtu, dhe në shkurt, ishte radha e Erion Veliajt, kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili shihej si pasardhës i mundshëm i zotit Rama. Të tre mohojnë akuzat.
Në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK ka shënuar suksese të mëdha në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare. Zakonisht, një bos shqiptar i drogës operon nga Dubai. Blerësit e tij në Ekuador dërgojnë mallin në Evropë, ku njerëzit e tij organizojnë shpërndarjen. Fitimet pastaj investohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, ndërsa ushtarët e tij blejnë apartamente. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri nga persona të dyshuar për pastrim parash nga Zvicra dhe akuzoi një grup tjetër për përpjekje për të kontrabanduar armë në Britani.
Arrestimet e politikanëve janë më të debatueshme. Zoti Berisha pretendon se zoti Rama po e përndjek, dhe e quan SPAK-un “kamzhikun e tij”. Por rritja e numrit të bashkëpunëtorëve të afërt të zotit Rama të akuzuar për korrupsion, ka dëmtuar edhe imazhin e kryeministrit. Kur u arrestua zoti Veliaj, ishte radha e kryeministrit për të akuzuar SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo solli kritika nga Bashkimi Evropian; një diplomat i një vendi anëtar të BE-së i quajti akuzat e tij “mashtrime”. Zoti Rama hoqi dorë shpejt nga sulmet.
Z. Rama ka premtuar se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030. Një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit është kriter kyç, dhe disa shtete anëtare e vlerësojnë lart bashkëpunimin e SPAK-ut në luftën kundër bandave të drogës. Edhe pse zoti Rama mund të ketë dëshiruar ta mbështeste zotin Veliaj, ai gjithashtu e kuptoi se sulmi ndaj SPAK-ut do t’i kushtonte vota. Një burim në sistemin gjyqësor thotë në mënyrë të shkurtër: nëse klasat politike të Shqipërisë do të ishin të kënaqura me punën e SPAK-ut, “do të kishim një problem”.
Z. Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Si kryetar i bashkisë së Tiranës që nga viti 2015, ai ka ndihmuar në transformimin e qytetit nga një vend i rrënuar në një qytet më tërheqës. Por SPAK pretendon se z. Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë pastruar para nga zhvillues përmes një skeme që përfshinte donacione për OJQ-të.
Gjashtë muaj pas arrestimit, z. Veliaj mbetet në paraburgim; ai u padit zyrtarisht vetëm më 23 korrik. Kjo është e zakonshme në Shqipëri, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim – një përqindje shumë më e lartë se kudo tjetër në Evropë. Bashkë me z. Veliaj është paditur edhe një deputet i Partisë Socialiste, i akuzuar për manipulim të dëshmitarëve. Më 15 korrik, SPAK paditi gjithashtu një ish-deputet socialist për dyshime se kishte ndarë informacione policore me një bos krimi në këmbim të ndihmës gjatë fushatës zgjedhore.
Z. Veliaj, bashkëshortja e tij dhe të dy deputetët mohojnë të gjitha akuzat. Arbi Veliaj, vëllai i kryetarit të bashkisë, thotë se SPAK është “bërë mashtrues” dhe se po e mban atë në burg mbi baza të rreme. Arrestimi i tij ka përçarë opinionin publik në Tiranë. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin, policinë sekrete të regjimit komunist. Të tjerë e shohin si një triumf të drejtësisë mbi të fuqishmit që, sipas tyre, kanë vjedhur prej vitesh nga qytetarët e zakonshëm. Sipas burimit në drejtësi, qëllimi i krijimit të SPAK-ut ishte t’i jepej fund “kulturës së pandëshkueshmërisë” në Shqipëri. Nëse kjo realizohet, do të jetë padyshim historia e shekullit për vendin.
KOHA JONË SONDAZH

