Thirrjet e ambasadës së SHBA për Doshin, flet Arian Çani: Sinjale për t’i thënë publikut se Rama e ka bërë baltë

Thirrjet e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gazetari Arian Çani i ka interpretuar si sinjale “për t’i thënë publikut se shiko se Rama e ka bërë baltë”. I ftuar në studion e lajmeve të MCN TV, Çani shtoi se ndonjë herë publiku nuk i kupton mirë mesazhet dhe se nëse SHBA-të e kanë me Ramën duhet ta thonë. “Kjo që po bëjnë është hibride dhe nuk thotë asgjë”, tha Çani.

Do ta nis me postimin e sotëm të ambasadores amerikane e cila i kërkon partisë Socialiste që të deklarohet prerë kundër kandidimit të Tom Doshit në zgjedhje. Ne kishim pak ditë më parë në studio kandidaten e PSD-së për Tiranën, Uarda Celami, e cila na tha se rruga e vetme e PSD-së është Partia Socialiste dhe se të dy kryetarët kanë kontake. Keni një opinion mbi marrëdhënien e zotit Rama me zotin Doshi apo ata që etiketohen si “të fortët” e politikës. Si e shihni ju këtë raport

Çani: Nuk kam ndonjë koment personal në lidhje me emrat që ju përmendët. Marrëdhënia e tyre ka qenë e ngushtë deri në momentin që Doshi ishte në PS dhe që i dolën probleme. Mendoj se PSD është një parti që është futur në këto zgjedhje për të mbështetur PS edhe pse jo në një listë. Kjo është një fabul që më bën për të qeshur se si ka mundësi që një superfuqi si SHBA nuk arrinë ta përjashtojë nga lista. Nëse Doshi nuk ka asnjë problem me drejtësinë shqiptare, me çfarë tagri duhet ta penalizojë. Doshi është duke kandiduar, ata ose duhet të gjejnë mënyra të tjera dhe jo vetëm thirrje ose duhet të merren me Australinë sepse Doshi është australian. Ata duhet ti bëjnë thirrje Australisë.

Po PS duhet të mbajë një qëndrim publik?

Çani: Kam përshtypjen se Rama e ka bërë të ditur se nuk do të përfshihet, nuk e ndalon dot të jetë deputet sepse ai nuk është i partisë së tij. Të gjitha këto janë sinjale për t’i thënë publikut se shiko se Rama e ka bërë baltë. Me kë e kanë amerikanët, me Ramën apo me Doshin? Ndonjë herë publiku nuk i kupton mirë, nëse ata e kanë me Ramën duhet ta thonë. Kjo që po bëjnë është hibride dhe nuk thotë asgjë.

Si e shihni spostimin që zoti Rama u ka bërë senatorëve të Partisë Socialiste në vende të pasigurta në listën e kandidatëve?

Çani: Mund të ketë shumë arsye, por unë do t’i mëshoj shumë njërës që është arsye estetike. Rama i vë shumë rëndësi estetikës, po ta vëmë re ai i lyen fasadat e vjetra ose i shemb fare, siç bëri me spitalin. Këta të vjetrit ai nuk i duron dot estetikisht.

Do ketë kosto elektorale?

Çani: Nuk besoj, ata e kanë mbaruar misionin e tyre dhe Rama nuk humbet ndonjë gjë të madhe, por për mua është fenomen estetik.

Ndalemi pak te libri i Lulzim Basha, prisnit që ai të shkruante një libër të tillë?

Çani: Jo se kisha menduar sepse nuk është në stilin e tij. Por them që është gjë e mirë sepse ka njerëz që duan të lexojnë dhe jo të qëndrojnë në telefon. Nuk e di kush është misioni i tij, por kushdo qoftë është i mirëseardhur dhe unë jam pro ndryshimit.

Ka shumë diskutime mbi autorësinë, mendoni se zoti Basha e ka shkruar vetë këtë libër?

Çani: Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Kur ke një post të lartë nuk ka rëndësi. Në të gjithë botën njerëz të tillë nuk kanë nevojë të shkruajnë. Jam i bindur që edhe Rama nuk e ka shkruar vetë librin e tij, vetëm i ka hedhur një sy dhe ka shtuar detaje. Dhe fjalimet ia bën dikush tjetër, ai vetëm interpreton.

Sot zonja Kryemadhi ka bërë një postim në rrjetet sociale ku ka uruar bashkëshortin e saj Ilir Meta për ditëlindje. Po e citoj: “Të dua Ilir Meta si një adoleshente e dashuruar përjetësisht”. Po ju bëj dhe juve të njëjtën pyetje që i kemi drejtuar publikut: Mendoni se një “adoleshente” si Monika mund të fitojë zgjedhjet?

Çani: Mendoj se një edhe një adoleshente si Monika mund të fitojë zgjedhjet, por jo e vetme. Pavarsisht nga perceptimi që mund të kenë për të ajo ka gjithë jetën që merret me këtë punë dhe mund të them që mund të kesh simpati apo antipati për të, por ajo është punëtore dhe kur merr përsipër të bëjë diçka e çon deri në fund. Askujt s’ia merrte mendja që Berisha të kthehej.

SHKARKO APP