Thyhet bojkoti për hartën e re gjyqësore, disa avokatë marrin pjesë në gjyqe
Harta e re gjyqësore tashmë nuk i bëri bashkë komunitetin e avokatëve që gjatë kësaj greve u shfaqën të përçarë. Shumë i braktisën seancat, por të tjerë vazhdojnë të përfaqësojnë klientët e tyre. Këshilli i Dhomës Kombëtare do të mblidhet për të vendosur se çfarë do bëhet me avokatët që thyen bojkotin.
“Nuk ka kuptim ne nuk shkojmë, ca shkojnë. Ja kam vendime në duar të atyre që kanë shkuar dhe janë mbi 100 për të cilët do mblidhet këshilli nga të gjitha qytetet që kanë qenë në masa sigurimi personal”, tha Saimir Vishaj, kreu i Dhomës Penale të Avokatëve.
Vishaj i cili iu bashkua bojkotit bën apel për rikthim në normalitet. “Ky bojkot e ka humbur kuptimin, sikur një të shkojë ska më kuptim”. Një ditë më parë kreu i KLP teksa i dha dritën jeshile hartës së re gjyqësore, ku shkrihen 18 gjykata i bëri apel palëve që të ulen e të diskutojnë.