Tirana ndez dritat e festave,/ Veliaj: Mirësi, mbarësi dhe dashuri për gjithë! Ftoni familjarët që t’i kalojnë festat në kryeqytetin tonë
3, 2, 1… Tirana zyrtarisht ka hyrë në periudhën më të bukur të vitit. Kthyer tashmë në traditë, sheshi ‘Skënderbej’ është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi me fjalën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ftoi të gjithë të mbajnë “ndezur” dritën e mirë brenda vetes, për të çuar përpara punë të mira për familjen dhe vendin.
Veliaj tha se është shumë e rëndëisshme që të gjithë të jenë më solidarë, më të dashur dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sidomos këtë muaj festash. Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një mini-qytezë festash me një super-atmosferë për të gjithë ata që do ta vizitojnë.
“Përveç festave te Pazari, Kalaja, Liqeni, Kopshti Zoologjik, apo këtu në shesh, uroj që secili prej nesh ta mbajë ndezur “dritën e mirë” që ka brenda vetes dhe sa herë zgjohet në mëngjes t’i bëjë një pyetje vetes: “Sot do zgjohem dhe do bëj mirë apo keq? Sot do inkurajoj njerëzit apo do merrem me llafe e do i shaj? Sot do çoj përpara punë të mira për familjen, për vendin, për qytetin apo do bëhem pengesë e dikujt? Është shumë e rëndësishme që këtë dritë që ndezim sot, ta mbajmë ndezur gjithë kohën e festave. Dua që këto festa të jenë plot me solidaritet dhe mirësi e dashuri. Kërkesa që kam për secilin është: Nëse keni pak më shumë ëmbëlsira, ndihmoni dikë që nuk ka. Nëse natën e Viti të Ri, natën e Krishtlindjes, gjatë festave, keni më shumë ushqime se ç’ju duhet, ndihmoni dikë që ka më shumë nevojë; nëse keni mjaftueshëm pulovra e bluza, jepini edhe atij që ndoshta s’e ka mundësinë të festojë si të gjithë të tjerët””, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të ftojnë sa më shumë familjarë, që i kanë brenda apo jashtë vendit, për të kaluar festat në kryeqytet.
“Është shumë e rëndësishme që këto festa të kenë dashuri pa fund. Këtë vit Tirana ishte Qyteti Evropian i Sportit. Jam kaq entuziast që, shumë nga çunat e gocat e Tiranës merren me aktivitete sportive. Tirana ka pasur numrin më të madh të turistëve ndonjëherë, ndaj duam që edhe festat të prodhojnë ekonomi. Nëse keni kushërinj e të afërm, miq, familjarë, ftojini për të kaluar festat në Tiranë, se duke shpenzuar në Tiranë, krijojmë ekonomi për vendin tonë dhe punësim për njerëzit tanë. Ndezim sot pemën e parë dhe më të madhe në Tiranë, për të vijuar festat gjatë gjithë këtij muaji, me solidaritet, me dashuri dhe mirësi për njeri-tjetrin!”, përfundoi Veliaj.