Titulli “Qytetar nderi” i Gjilanit, Meta: Vlerësimi, një detyrim për të bërë më shumë për Gjilanin
Me iniciativën e z. Haziri, Kuvendi Komunal i Gjilanit nderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Meta me çmimin “Qytetar Nderi”, me motivacion “për kontributin e jashtëzakonshëm si Kryeministër i Shqipërisë për strehimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Gjilani në veçanti, në Republikën e Shqipërisë , në kohën kur Kosova po përjetonte spastrim etnik në vitin 1999; për ndihmën e dhënë në Pavarësinë e Kosovës dhe për vizitën e tij për herë të parë në Gjilan”.
Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit, z. Meta mbajti një fjalim ku shprehu bindjen se mund të bëjmë shumë më tepër në bashkëpunimin mes Shqipërisë e Kosovës dhe në shndërrimin e Gjilanit në një qendër të zhvillimit e bashkëpunimit rajonal duke pasur në konsideratë që Gjilani është në qendër të trekëndëshit që lidh Gjilanin me Preshevën dhe Kumanovën.
“Janë të gjitha mundësitë që në një përpjekje të përbashkët Gjilani dhe Anamorava të njohin një standard të ri të zhvillimit dhe të progresit ekonomik e shoqëror. Njëkohësisht është një mundësi shumë e mirë që Universiteti ‘Kadri Zeka’, të kthehet në një qendër të rëndësishme për projektimin e ideve konkrete që sjellin progres e mirëqenie. Për këtë ne diskutuam me kryetarin e komunës tuaj, Lutfi Haziri, me përfaqësues të tjerë të këshillit komunal për ta kthyer Gjilanin në të ardhmen në një qendër më të rëndësishme të zhvillimit e të progresit”, tha z. Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit deklaroi se vlerëson në mënyrë të veçantë tolerancën dhe kulturën e lartë politike që mbizotëron në komunitetin e Gjilanit. “Kam vlerësimet më të larta për bashkëjetesën e shkëlqyer ndëretnike që autoritetet dhe populli i Gjilanit kanë demonstruar këtu dhe kjo është për tu përshëndetur pasi standardet e pakicës serbe në Gjilan janë mjaft të larta dhe kjo në radhë të parë si rezultat i tolerancës dhe vizionit që keni ju qytetarë të Gjilanit si qytetarë të vërtetë europianë. Vizita e kryeministrit Rama në Preshevë ishte një tregues i vëmendjes në rritje të shtetit dhe qeverisë shqiptare ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshëvës”, theksoi z. Meta.
Kryetari i Kuvendit tha se titullin “Qytetar Nderi” e konsideron një detyrim për të bërë më shumë që qyteti i Gjilanit dhe Anamoravës, të kthehen në një qendër shumë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për mbarë hapësirën tonë kombëtare.
“Ne jemi sot këtu për të nderuar historinë e të gjithë shqiptarëve, por edhe historinë që lidhet me bijtë më të shquar të Gjilanit dhe Anamoravës. Jemi këtu për të nderuar Idriz Seferin, këtë atdhetar nga më të shquarit, i cili me Isa Boletinin, Bajram Currin dhe shumë patriotë të tjerë u shndërruan në legjendarë të mbarë popullit shqiptar”, tha Meta.
“Jemi këtu, vijoi ai, për të kujtuar ato vargje të cilat populli ynë i vendosi në përjetësi ‘për flamurin e Skënderbeut luftojnë djemtë e Idriz Seferit’. Është ai flamur që i bashkoi shqiptarët në ditët më të errëta , ai flamur që nxiti lirinë kombëtare, ai flamur që u ngrit me aq sakrifica në 28 nëntor 1912. Por, rajoni i Gjilanit është shquar në të gjitha luftërat e tjera, sidomos ku territoret shqiptare mbetën jashtë kufijve shqiptarë, sidomos pas copëtimit që u bëri konferenca e Londrës”, u shpreh Meta.
Ceremonisë së dhënies së çmimit i parapriu një konferencë e përbashkët për shtyp mes Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Duke folur para mediave, z. Meta deklaroi se ngritja e flamurit në Vlorë identifikohet me dy figura të mëdha kombëtare, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, që simbolizojnë përpjekjet e të gjithë patriotëve shqiptarë, anembanë trojeve tona, për të shpëtuar kombin, për të krijuar shtetin dhe për t’i dhënë një të ardhme kombit tonë.
Haziri tha se “në kuadër të javës së Flamurit, ne nderojmë edhe udhëheqësin tonë të luftës për pavarësi, Idriz Seferin, i cili në atë kohë, me luftëtarët e vet arriti të çlirojë kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, duke luftuar për lirinë e të gjithë shqiptarëve. Natyrisht se ky nëntor është i madh, por për Gjilanin, është edhe i dhimbshëm, sepse liria e asaj kohe u pagua me jetën e shumë dëshmorëve dhe martirëve të kësaj ane”.
Sakaq, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesit e Shoqatës “Vatra”, që mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe u ka dhënë përkrahje kërkesave të tyre të drejta për kthim në shtëpitë dhe vatrat e tyre, nga të cilat janë larguar qoftë për arsye politike, më herët, qoftë për arsye ekonomike. Para se të merrte pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, z. Meta ka vizituar edhe gjimnazin “Zenel Hajdini”.
Qyteti i Gjilanit, më i madhi në pjesën lindore të Kosovës, ishte veshur këtë të hënë me ngjyrat kuqezi për t’i uruar mirëseardhjen Kryetari të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. “Mirë se vjen Ilir Meta, Gjilani ju mirëpret në nëntorin e krenarisë”, shkruhej në billbordet me fotografitë e Kryetarit të Kuvendit, teksa flamuj kuqezi të kombit shqiptar dhe flamujt shtetërorë të Kosovës kishin mbushur rrugët dhe sheshet.
“Të hënën Gjilani është zgjuar me flamuj të shumtë nëpër gjithë qendrën e qytetit dhe billborde të z. Ilir Meta, duke i uruar mirëseardhjen kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë”, raporton media lokale.
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit të mbajtur në Gjilan të Kosovës pas marrjes së titullit “Qytetar nderi” të Gjilanit:
Të nderuar dhe të dashur qytetarë të Gjilanit dhe të Anamoravës
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri
Të nderuar këshilltarë komunalë
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike, përfaqësues të komuniteteve fetare.
Dua t’ju falënderoj për respektin e madh që më bëtë sot duke më dhënë titullin “Qytetar nderi” të Gjilanit. Sinqerisht që jam përpjekur t’u shpëtoj këtyre titujve, sepse kur bëhet fjala për një politikan aktiv, besoj se çdo kontribut është një detyrë, është një përgjegjësi që nuk mbaron asnjëherë. Unë sot në fakt erdha për të festuar me ju ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, por edhe Isa Boletini, ditën e përpjekjeve të përbashkëta për liri, ditën e përpjekjeve për të shpëtuar kombin nga shkatërrimi dhe nga ndarja, ditë që po e festojmë me shumë gëzim dhe krenari sot këtu në qytetin Gjilanit.
Unë e konsideroj dhënien e titullit të nderit një detyrim për të ardhmen, për të bërë më shumë në mbështetje të qytetit të Gjilanit dhe të gjithë Anamoravës, si një qendër shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë hapësirën tonë mbarëkombëtare, pasi pozicioni i Gjilanit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe do të bëhet akoma më shumë i tillë në të ardhmen, duke besuar se ai do të shndërrohet në qendër të rëndësishëm dhe të fuqishme të bashkëpunimit rajonal.
Ne jemi sot këtu për të nderuar historinë, historinë e gjithë shqiptarëve, por në veçanti edhe historinë që lidhet me bijtë më të shquar të Gjilanit dhe të Anamoravës. Jemi këtu për të nderuar Idriz Seferin, këtë atdhetar ndër më të shquarit, udhëheqës ushtarak popullor, i Rilindjes Kombëtare, i cili së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin dhe shumë patriotë të tjerë, u shndërruar në legjenda të mbarë popullit shqiptar. Jemi këtu për të kujtuar ato vargje që populli ynë, kombi ynë, i vendosi në përjetësi: “Për flamurin e Skënderit, luftojnë djemtë e Idriz Seferit”. Është ai flamur që i bashkoi shqiptarët në ditët më të errëta, është ai flamur që nxiti lëvizjen kombëtare dhe Rilindjen Kombëtare, është ai flamur që u ngrit me aq sakrifica në 28 nëntorit të vitit 1912 në Vlorë.
Por rajoni i Gjilanit është shquar edhe në të gjithë luftërat e tjera, sidomos kur territoret shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar pas copëtimit që u bëri Konferenca e Londrës. Ata janë shumë. Është një popull i tërë, por do të doja të përmendja disa prej tyre që nuk i bëjnë nder vetëm Gjilanit dhe Anamoravës, por mbarë kombit shqiptar. Ata janë Mulla Idriz Gjilani dhe Ramiz Cërrnica.
Ka shumë për të thënë për këto figura të shquara, por unë do të mjaftohem vetëm në dy thënie të tyre që kanë ardhur deri në ditët tona. Amaneti i Mullai Idriz Gjilanit ishte: “Kemi tre fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”. Dhe është kjo filozofi, është ky patriotizëm, është kjo mençuri që na bën të mundur që ne sot të festojmë jo vetëm 102 vjetorin e ngritjes së flamurit në Vlorë, por të festojmë edhe pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Ndërsa i madhi Ramiz Cërrnica do të mbetet në kujtesën e kombit tonë për qëndrimin e tij të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në korrik 1945, kur ai kërkoi bashkimin me Shqipërinë të cilën e pagoi me syrgjynosjen dhe jetën e tij.
Populli shqiptar i Anamoravës gjithmonë ka lindur heronj, patriotë dhe luftëtarë të denjë për t’i prirë këtij populli drejt lirisë dhe çlirimit, për të luftuar kundër shovinizmit dhe diskriminimit.
Ju e njihni më mirë, por unë do të doja të përmendja këtu emrat e bijve tuaj të shquar si Metush Krasniqi, Kadri Halimi, Rexhep Malaj, Nyhi Berisha, Kadri Zeka, Agim Ramadani etj. Të gjithë këta emra kanë bërë histori, një histori që i bën nder Gjilanit dhe Anamoravës, por që na bën nder të gjithë shqiptarëve kudo ku jemi dhe jetojmë. Do të doja të përmendja edhe një herë të paharruarin Kadri Zeka, i cili së bashku me Jusuf Gërvallën dhe patriotë të tjerë bënë gjithçka për të mbajtur të gjallë frymën e lirisë dhe të çlirimit në emigracion, gjë që e paguan me jetën e tyre të re.
Njëkohësisht, do të doja të përmendja heronjtë e lavdishëm Rexhep Malaj dhe Nyhi Berisha që bënë historinë në kodrën e trimave, në Prishtinë, e deri tek heroi i ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadani që në prill të 1999-s, mbeti legjendë për të mos vdekur kurrë në betejën e Kosharës.
Prandaj do të dëshiroja edhe njëherë tjetër, të shprehja mirënjohjen më të thellë për kontributin e të gjithë patriotëve që ka nxjerrë Gjilani dhe Anamorave në mbrojtje të çështjes Kombëtare. Për sakrificat e tyre për të mbrojtur dhe për të ngritur lartë gjithmonë flamurin tonë kombëtar. Pata kënaqësinë sot dhe ishte një moment i paharruar për mua të vizitoja gjimnazin e ri “Zenel Hajdini” dhe të kisha mundësinë në një klasë që të bashkëbisedoja me disa prej nxënësve të këtij gjimnazi, me fëmijët tuaj. Në një gjimnaz me kushtet ideale të standardeve më të larta evropiane dhe nxënës me plot ide dhe shpresë për të ardhmen.
Dhe mu kujtua atë ç’ka përjetova në vitin 1999 gjatë kohës së gjenocidit që përjetoi populli i Kosovës dhe fëmijët e Kosovës, ku në Kukës duke vizuar një qendër ku ishin vendosur banorët e ardhur nga Kosova si pasojë e gjenocidit, të gjithë përpiqeshin të qetësonin një fëmijë, një vajzë të vogël. Ajo nuk qetësohej edhe pse i jepnin ushqime, edhe pse i jepnin çokollata dhe arsyeja ishte sepse ajo kishte humbur të gjithë familjen e saj dhe prindërit e saj. Dhe nuk më harrohet emri i saj. Emri i vajzës ishte Saranda. Dhe nuk e di sot se ku është Saranda, por e di me bindje të plotë se fëmijët e Gjilanit dhe të Kosovës kanë shtetin e tyre, jetojnë në liri, jetojnë në demokraci dhe aspirojnë një të ardhme evropiane të cilën e meritojnë plotësisht për shkak të sakrificave që kanë bërë të gjithë të parët e tyre. Kjo na bën të lumtur, kjo na shton më shumë obligimet për të punuar më shumë akoma, më shumë për t’i shfrytëzuar të gjitha hapësirat dhe mundësitë që na jep liria që na jep kjo epokë e re e proceseve integruese për të realizuar një jetë me standardet më të larta për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë fëmijët tanë ku ata jetojnë.
Me këtë këndvështrim, unë besoj se mund të bëjmë shumë më tepër sesa deri tani. Me bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës por edhe shndërrimin e vetë qytetit të Gjilanit në një qendër edhe më të rëndësishme të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, duke patur në konsideratë se Gjilani është edhe në qendër të trekëndëshit që lidh Gjilanin me Preshevën dhe Kumanovë, dhe janë të gjitha mundësitë që me një përpjekje të përbashkët, me një vizion të përbashkët, Gjilani dhe Anamorava të njohin një standard të ri të zhvillimit dhe të progresit ekonomik dhe shoqëror. Njëkohësisht është edhe një mundësi shumë e mirë edhe e Universitetit që ju keni, Universitetit “Kadri Zeka” për t’u kthyer në një qendër të rëndësishme, edhe rajonale të debatimit, të projektimit të ideve dhe të bashkëpunimeve konkreteve që sjellin progres, që sjellim mirëqenie. Dhe për këtë kemi diskutuar edhe me kryetarin e Komunës tuaj, z. Lutfi Haziri, edhe me përfaqësues të tjerë të Këshillit Komunal dhe të institucioneve, për ta kthyer Gjilanin në të ardhmen në një qendër edhe më të rëndësishme dhe me më shumë peshë të zhvillimit dhe të progresit. Nuk mund të rri sot përpara jush pa vlerësuar në mënyrë të veçantë tolerancën dhe kulturën e lartë politike që mbizotëron në komunitetin tuaj.
Kam përshtypjet më të mira nga bashkëpunimi që shoh këtu midis forcave të ndryshme politike, midis përfaqësuesve të ndryshëm të komunitetit. Kam vlerësimet më të larta për bashkëjetesën e shkëlqyer ndëretnike. Autoritetet e Gjilanit dhe populli i Gjilanit kanë demonstruar këtu, dhe kjo është për t’u përshëndetur pasi standardet e pakicës serbe në Gjilan janë vërtetë mjaft të larta, dhe kjo në radhë të parë si rezultat i tolerancës dhe vizionit që keni ju qytetarë të nderuar të Gjilanit, si qytetarë të vërtetë evropianë. Por një mirënjohje nga të gjithë shqiptarët kudo ku janë i takon Gjilanit për atë mikpritje të shkëlqyer që i ka rezervuar në kohët më të vështira dhe në vazhdimësi të gjithë bashkatdhetarëve tanë të Medvegjës, të Bujanovcit dhe të Preshevës. Dihet se vatra më e ngrohtë për mikpritjen e tyre është pikërisht Gjilani, falë përpjekjeve dhe angazhimit tuaj ata kanë mundur të vazhdojnë jetën e tyre dhe një pjesë e mirë aspiron për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, në tokat e tyre, në trojet e tyre dhe për këtë ne të gjithë duhet të mendojmë dhe ne të gjithë duhet të angazhohemi.
Edhe vizita e fundit e Kryeministrit Edi Rama në Luginën e Preshevës ishte një tregues i vëmendjes në rritje të shtetit dhe të qeverisë shqiptare ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Unë besoj se edhe në këtë drejtim ne mund të bëjmë shumë më tepër në të ardhmen për të përmbushur të drejtat e tyre, jo vetëm këtu në Gjilan e në Kosovë apo në Shqipëri, por akoma më shumë në të drejtat e tyre në vatrat e tyre, në trojet e tyre në Medvegjë, në Bujanovc dhe në Presheve. Sot në këtë ditë të madhe që ka të bëjë pikërisht me nderimin tonë për 28 nëntorin e vitit 1912, 28 nëntorin e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit, dy figurave simbol që përfaqësojnë përpjekjet e të gjithë patriotëve shqiptarë kudo për të shpëtuar kombin, për të ndërtuar shtetin dhe për të ngritur flamurin. Nuk mund të rrimë pa u përkulur me një respekt të veçantë për figurat e shquara, të Ibrahim Rugovës dhe përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë për të ruajtur arsimin dhe për të shpallur shtetin e Kosovës, për ta njohur atë ndërkombëtarisht dhe figurës së shquar të Adem Jasharit, simbolit të UÇK-së që simbolizon përpjekjet dhe gjakun më të freskët të derdhur nga shqiptarët për lirinë e tyre dhe për shtetin e Kosovës. Ato janë një vazhdimësi e përpjekjeve mbarëkombëtare të bëra historikisht për t’i dhënë dritë, për t’i dhënë të ardhme mbarë kombit tonë.
Unë besoj se ky takim që ne e zhvillojmë sot nuk është vetëm përkujtimor, por është edhe angazhues për të ardhmen. Për të punuar së bashku për të realizuar një të ardhme sa më të shpejtë të standardeve evropiane për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Një të ardhme pa barriera, pa pengesë, një e ardhme që vjen vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit dhe Gjilani është një shembull, është një simbol i bashkëpunimit, i mirëkuptimit dhe i tolerancës, i një vizioni për një të ardhme evropiane. Ndaj, edhe një herë ju përshëndes të gjithëve, ju falënderoj për këtë pritje dhe dua t’ju siguroj se kjo ishte vizita e parë në Gjilan. Ne e kemi diskutuar me kryetarin Haziri dhe bashkëpunëtorët e tij për të ndërtuar një axhendë e cila do na sjellë rezultate shumë konkrete në të ardhmen në fusha të ndryshme. Gëzuar ditën e flamurit, i përjetshëm qoftë kujtimi i Idriz Seferit dhe i gjithë patriotëve të Gjilanit dhe të Anamoravës, i bijve më të mirë të këtij populli që dhanë gjithçka me qëllimin që Shqipëria të ketë shtetin e saj, që Kosova të jetë e lirë, që shqiptarët të kenë të ardhme. Faleminderit!