Tom Doshi, plani për vitin 2025
Nga Daniel Muçaku-
Zgjedhjet e 14 majit prodhuan dy surpriza elektorale; të dyja lidhen me Shkodrën. Benet Beci që mori “kalanë e Rozafës” pas 32 viteve “rrethim” prej PS dhe Tom Doshi që vjen nga Shkodra i cili mori rezultat spektakolar me PSD e tij në shumë qarqe të Shqipërisë.
Doshi mori mandate të Tiranë, gjë që nuk pritej nga politika e PS dhe opozitës. Ata mendonin se në Shkodër dhe në këtë qark Tom Doshi ka influencë të madhe, por nuk iu shkonte mendja, siç shprehet një zyrtar nga pushteti i PS, që PSD të shtrihej në gjithë Republikën.
Nëse Ilir Meta përdori kokën e Berishës për të rritur numrat e këshilltarëve të tij në bashkitë e vendit, Tom Doshi me forcat e tij mori kaq shumë këshilltarë sa nëse llogariten në numra deputetësh (po të ishin zgjedhje parlamnetare) kalon numrin 5 apo 6 deputetë.
Në disa bashki janë votat e PSD që vendosin shumë gjëra.
Ndërkohë Tom Doshi, sipas burimeve nga stafi i tij, ka filluar punën që tani për zgjedhjet politike të vitit 2025.
Synimi mbetet që në Shkodër të marrë tre mandate deputeti, në Tiranë tre, në Lezhë një, sikurse po punon që edhe në dy qarqe të tjera të marr nga një deputet.
Me sa duket PSD po synon një grup të vetin parlamentar në vitin 2025.