Tom Doshi presion Benet Becit në Shkodër dhe Ramës në Tiranë
Marrëdhëniet PS-PSD në Shkodër janë në periudhë akulli. Me sa duket Benet Beci, kryebashkiaku shkodran nuk ka mbajtur premtimin për punësimin e njerëzve të PSD në punët e Bashkisë, sepse nuk ka se si ndodh ndryshe që PSD e Tom Doshit braktis mbledhjen e këshillit bashkiak në Shkodër.
Në të vertetë burimet nga Shkodra thonë se kryebashkiaku nuk po emëron militantë partiakë, por vetëm njerëz profesionistë, ku futen edhe demokratë.
Por pa këshilltarët e Doshit nuk bëhet shumica që i duhet PS dhe Becit. PSD në Shkodër ka 11 këshilltarë, aqsa nuk krijohet kuorumi për mbledhjet e këshillit bashkiak.
Mbledhja e fundit e këshillit në bashkinë e Shkodrës dështoi për mungesë kuoromi pas largimit të këshilltarëve të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Ky veprim ngre dyshime për krisjen e marrëdhënieve mes Partisë Socialiste dhe Socialdemokratëve të Tom Doshit. Në fjalën e tij para anëtarëve të këshillit, kryetari i grupit të këshilltarëve të PSD-së, Gjek Sokoli, përmendi mungesën e punësimeve në administratën e bashkisë nga Benet Beci.
“Ne jemi ata që kemi sjellë kryetarin e bashkisë në drejtim”- tha njeriu i Tom Doshit, duke aluduar se jemi ne që nuk e zgjedhim më.
Por Tom Doshi me sa duket godet në Shkodër që të dëgjojë kryeministri Rama në Tiranë.