Trafiku i drogës bën “namin” në prag zgjedhjesh. Në pranga 55 persona, 27 prej tyre shqiptarë
55 persona, 27 prej të cilëve shqiptarë, janë arrestuar pas një operacioni ndërkombëtar antidrogë. Është shkatërruar grupi shqiptaro-nigerian, ndërkohë që 6 prej anëtarëve janë prangosur në Vlorë.
Sipas raportimeve të mediave italiane grupi trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali dhe më pas dërgohej në Gjermani me autobusë e trena.
Bëhet fjalë për 3 organizata të ndryshme kriminale që kishin si synim trafikimin e paligjshëm të drogës, prodhimin dhe mbajtjen e paligjshme të drogës dhe për gënjeshtra duke mashtruar zyrtarin publik.
Droga e llojit marihuanë nisej nga Shqipëria dhe kishte destinacione të ndryshme në Evropë. Grupi kriminal shqiptar e bëntë të gjithë këtë aktivitet falë aleancës me anëtarët e mafias nigeriane të pranishëm në Itali. Dyshohet se droga prodhohej në Vlorë.
Operacioni është zhvilluar në Vlorë, Kothen në Gjermani dhe Romë, Brescia, Modena, Macerata, Genova, Parma në Itali, ku në kuadër të hetimeve është bërë i mundur dhe shkatërrimi i grupit kriminal.
Të arrestuar janë 55 persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Ata janë identifikuar si 52 burra dhe 3 gra, ku më konkretisht, 27 shtetas janë shqiptarë, 23 nigerianë, 4 itailanë dhe 1 gambian.