Tronditet Mamurrasi, vrasje me armë zjarri në një hotel
Viktima e atentatit në orët e mbrëmjes së kësaj të shtune është një 37 vjeçar i identifikuar me emrin Bujar Lika.
Viktima rezulton të jetë biznesmen i njohur në fushën e mobilierisë e transportit. I riu u ekzekutua me armë në sheshin përballë një hoteli në afërsi të Mamurrasit.
Nga të dhënat paraprake, mendoset se atentatori është futur në sheshin e hotelit dhe ka qëlluar për vdekje biznesmenin.
Por nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur dhe dy persona të tjerë, të identifikuar si Kreshnik Tusha, 21 vjeç dhe Paulin Gjergji, 53 vjeçar.
Të dy të plagosurit janë dërguar drejt spitalit, teksa 21 vjeçari është nisur në spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se i riu ka qenë autori që ka qëlluar për vdekje mbi biznesmenin shkruan Express.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore. Grupi hetimor do të nisë fillimisht me këqyrjen e kamerave të sigurisë në mënyrë që të identifikojë autorin e ngjarjes së rëndë.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin /Informacion paraprak
Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:17, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, në ambjentin e jashtëm të një hoteli, në rrethana ende të paqarta ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi B.H.,37 vjeç dhe janë plagosur shtetasit P.Gj ,53 vjeç dhe K.T., 21 vjeç, të cilët janë transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisatiatit të Policisë Kurbin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Kurbin, vijon puna për administrimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes.
Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH-së Shkodër dhe vijon krehja e zonës dhe shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
© SYRI.net
KOHA JONË SONDAZH

