Tryeza e ”The Economist” në Athinë/ Rama për Integrimin në BE: Rruga si pushtimi i Trojës
Për kryeministrin Edi Rama, rruga e Ballkanit Perëndimor drejt Integrimit në BE është si pushtimi i Trojës. Në konferencën e ”The Economist” që u zhvillua në Athinë, Rama tha se pavarësisht mos vendosjes së një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Integrimin, marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk kanë ndryshuar.
“U deshën disa vite për të pushtuar Trojën. Në të njëjtën mënyrë po përparon edhe përvoja e vendeve të Ballkanit në radhët e BE”, tha Rama, duke përsëritur shprehjen tashmë të zakonshme se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “po presin për Godonë”. Edi Rama theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për t’u bashkuar unionit. “Vendet e Ballkanit kanë vite që janë në proces integrimi dhe do të bëjnë gjithçka për të qenë anëtare të BE. Nuk kemi alternativë tjetër dhe nuk duam të kërkojmë për alternativë tjetër”.
Duke u ndalur më shumë në rëndësinë e Integrimit Europian të Shqipërisë, ai tha se “është hera e parë si komb që ne mund të zgjedhim për veten tonë, dhe jo për dikë tjetër që të zgjedhë për ne. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjen, sepse ajo që na siguron procesi i Integrimit është një mjet unik i modernizimit. Ne nuk mund ta shpikim këtë. Ky modernizim ka të bëjë me ndërtimin e shteteve në këtë rajon që funksionojnë si demokraci, që kanë institucione që tejkalojnë partitë, qeveritë dhe marrëdhëniet midis qytetarëve dhe shteteve që janë të sigurta dhe të qëndrueshme”.