Tuneli që lidh Elbasanin me Librazhdin, Balluku: Muaji shtator do të bëjë të dukshme dritën në anën tjetër

Në rrugën e re Elbasan-Librazhd, një nga kantieret më të më të rëndësishme të Korridorit VIII, aktualisht po punohet për ndërtimin e dy tuneleve me 1.1 km gjatësi, që do të lidhin pjesën e Elbasanit me pjesën e Librazhdit, duke u kthyer në një arterie të rëndësishme të qarkullimit si dhe duke çliruar gjithë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave.

Investimi që është në fazën e pestë të ecurisë së tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërkohë që pjesë e projektit është edhe ndërtimi i dy urave të cilat lidhen direkt me tunelin. Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantier për të inspektuar ecurinë e punëve së bashku me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

”Këtu ndodhemi në një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit 8-të. Këtu praktikisht ndodhemi fazën e 5 ku po ndërtojmë 2 tunele nga 1.1 kilometër secili, të cilat lidhin pjesën e Elbasanit me pjesë e Librazhdit. Fillimisht në studim, edhe në projektim ka qenë vetëm 300 metra tuneli, por duke qenë se kishim një ndikim shumë të madh në qytetin e Librazhdit për sa i përkiste prishjes së një sërë shtëpive apo dhe pronave u rishikua duke i dhënë këtë zgjidhje. Sigurisht këtu është edhe inxhinieri, nuk jemi në formacion të lehtë si ai i Llogorasë, por nuk jemi as në një formacion të vështirë aq shumë sa Murrizi. Jemi në diçka të mesme, kemi fraktura shumë të mëdha të gjeologjisë këtu, të cilët na e bëjnë disi të vështirë situatën, por jo të pamundur dhe jo me atë kompleksitet”, shpjegoi Balluku.

Zv/kryeministrja Balluku parashikoi gjithashtu se me këto ritme të hapjes, muaji shtator do të bëjë të dukshme dritën në anën tjetër të tunelit. Nga ana e tij, kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë, duke rikujtuar edhe punën sfiduese që u bë për hapjen e tunelit të Murrizit, një nga më të vështirët për shkak të gjeologjisë së zonës.

”Ne mendojmë se dritë do të shohim shumë më shpejt. Çarja do bëhet shumë më shpejt, mendojmë diku nga shtatori do kemi dritë nga ana tjetër. Tani jemi mbi 400 metra, tunelet që të dyja janë 1.1 kilometër, kështu që në fund të shtatorit do kemi përfunduar me gërmimin, pastaj do të përdorim gjithë pjesën për të bërë dorëzimin në fillim të pranverës të vitit tjetër. Këtu jemi në fazën e 5-të. Faza e katërt është bajpasi i Librazhdit që ndodhet pas këtij tunelit, pra që lidhet me këtë tunel, ndërkohë që përballë kemi fazën e tretë. Faza e tretë nis në Labinot Fushë dhe më pas arrin domethënë mbikalimin e Xibrakës për t’u afruar te ura e Mirashit dhe deri këtu ndodhemi tani”, detajoi Balluku, teksa tha se pjesë e ndërtimeve janë edhe dy ura.

SHKARKO APP