”Turi i Mirënjohjes” në Lezhë, Rama takim me këshilltarët e rinj socialistë: Fitorja jonë i kaloi parashikimet
”Turi i Mirënjohjes” këtë të martë është ndalur në Lezhë. Kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, zhvilluan një takim me këshilltarët e rinj socialistë në këtë bashki.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe kryebashkiaku i sapozgjedhur Pjerin Ndreu, i cili fitoi bindshëm më 14 Maj kundrejt kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Pashk Gjoni. Këtë fitore, kryesocialisti Rama e cilësoi “jashtë parashikimeve” pavarësisht gjithë punës së bërë në zonat e këtij qyteti.
“Është një zonë aspak e lehtë, por kisha gjithmonë atë ndjesinë që të paktën këtu ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur, jo gjithçka kemi dasht. Po të kishim mund më shumë, e kishim bo dhe mbanim besimin që gjithsesi njerëzit do e vlerësonin dhe për hir të së vërtetës ishte një fitore që i kaloi parashikimet. Këtu në fakt kemi një nga degët më të organizuara të PS dhe kjo ka shpërblyer punën sepse nuk mjafton vetëm njerëzit të të thonë mirë, por duhet të dalin në votim që është punë më vete”, u shpreh Rama.