”Turi i Mirënjohjes”, Rama nga Lushnja: Sot fermerët kanë të ardhura që si kanë patur kurrë
Nga Lushnja ku vijoi ”Turin e Mirënjohjes”, kryeministri Edi Rama tha se rezultati i 14 majit është një motivim për të ecur shumë më shpejt përpara. Ai theksoi se bashkitë duhet të punojnë shumë më tepër.
“Shqipëria mund të ofrojë akoma shumë më tepër. Ka akoma më shumë për të bërë, që u shtohen kapaciteteve ekonomike, që bashkitë të punojnë shumë më tepër. Lushnja e Divjaka janë një, pavarësisht se janë dy bashki, duhet ta shohin veten si një. Reformat e ndërmarra kanë dhënë rezultat, që me rritjen e pagave, që do të vazhdojmë. Do të vazhdojmë dhe me rritjen e ardhurave nga ekonomia. Sot fermerët kanë të ardhura që si kanë patur kurrë më parë fatmirësisht, ato që deklarojnë dhe si deklarojnë, është shumë e rëndësishme kjo. Jo për t’u ulur i kënaqur, por për të vijuar për të bërë akoma më shumë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri shtoi edhe se do të bëjë gjithçka për të kthyer me shërbime dhe të mira besimin e dhënë. “Kjo është një ditë për t’ju thënë të gjithëve realisht shumë faleminderit. Unë e di shumë mirë që asnjëherë nuk do jem në gjendje t’ja u kthej ju që jeni këtu dhe të tjerëve që na kanë dhënë besimin, kohën nga koha e tyre, energji nga energjia që u a kanë hequr familjes së tyre, kurrë s’do jetë e mundur që ta shlyhet plotësisht. Por, gjithçka që mund të bëjë, do ta bëjë për shlyer sa të jetë e mundur nga ky besim. S’ka privilegj më të madh se njerëzit të besojnë. S’ka asnjë nder më të madh, sesa të jesh një nga grushti i të zgjedhurve të një populli, për të marrë vendim në emër të popullit dhe kështu duhet të jetë për çdo të zgjedhur dhe çdo njeri që merr përgjegjësi”, u shpreh Rama.