Turistët në Përmet, Rama poston videon e bukur nga qyteti i ”trëndafilave”
Në një kohë të debatit për plazhet në Shqipëri nëse janë bosh apo plot, kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mbrëmje një video nga Përmeti. Aty duken turistë të shumtë që vizitojnë qytetin e luleve dhe të njohur për glikotë e shumëllojshme.
I vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, qyteti shtrihet thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Përmeti ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.
Në Përmet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër. Një vend të veçantë zënë kishat, si ajo e Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.
Ndërsa vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj.