Reagon me një letër publike, Arben Ahmetaj, para votimit në parlament për lejimin e arrestimit nga SPAK
Reagimi i gjatë i Arben Ahmetajt
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Të dashur votues të mi e të Partisë Socialiste,
Të dashur miq e armiq njëlloj,
Sot është dita kur Parlamenti do votojë heqjen e imunitetit tim, dhe autorizimin e arrestimit tim.
Mendova qe të ndaja me votuesit e mi kryesisht, dhe me të gjithë qytetarët këtë mesazh.
Votuesve të mi:
Juve që më votuat në Tiranë në 2005, juve që më votuat në Korçë në 2009, juve që më votuat në 2013 në Gjirokastrën time, në Përmetin tim e në Tepelenën time, juve që më votuat në Rrogozhinën time e në Kavajën time në 2017, juve që më votuat në Njësinë nr. 4 në Tiranë, e në gjithë qarkun e Tiranës në 2021:
Faleminderit nga zemra!
Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikërisht juve, që kur ideova e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kam bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm.
Shpresoj të kem bërë më të mirën kur mora përsipër Financat në një periudhë tejet të vështirë për ekonominë e vendit dhe i dorëzova në kulmin e rritjes reale. Shpresoj të kem bërë më të mirën me Rindërtimin, kur mijëra e mijëra familje ngelën rrugëve pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. S’kam për ta harruar atë nënën në Vaqarr që qante me lot kur hyri në shtëpi falas, e pronën e vet, e si ajo mijëra familje. Shpresoj të kem bërë më të mirën dhe me pandeminë, me sipërmarrjen dhe me rendjen së bashku me kolegë, për vaksinat që nga India, Jordania, Anglia, Amerika e Turqia e gjithandej për të shpëtuar jetët e qytetarëve të vendit tim. Shpresoj të kem bërë më të mirën si ZvKM, me ideimin dhe fillimin e dixhitaliziit të kadastrës, apo dhe statelitët Albania1 e Albania2 që, siç thotë Niko i Lesajve, po më ndjekin mua në “arrati”.
Jam munduar të bej më të mirën.
Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë.
Une nuk hyj tek “fytyrat e bukura” që ngjaj bukur në TV, dhe të ngjall perceptim pozitiv, siç rëndom ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e pa bëra. Fatkeqësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë i tillë kurrë, kush me njeh nga afër, e di mirë këtë.
Gjithsesi, ndjesë dhe për këtë.
Falënderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë.
I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.
Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.
E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” (së bashku me ata që më duan të vdekur, siç tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosove dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shumë vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin… kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.
Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.
Dua te sqaroj qytetarët dhe mbi të gjitha votuesit e mi për çfarë dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetarë opinionistë e politikanë akuzohem:
1. Për njohje të hershme me një njeri i cili kur unë e kam njohur ka qenë njeri normal e në punën e vet. Nuk e di e s’marr përsipër të bëj gjyqtarin, për çfarë ka bërë në jetë ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dikë që ndoshta drejtësia e akuzon, të bën të akuzuar apo bashkëpuntor.
Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri kam pas kontakte me gati 100 për qind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit.
Një gazetar që vleresoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku që “çkodimi i Blackberry ka zbuluar”…
Bisedat e mija siç e theksova dhe dje janë krej normale dhe impotente në raport me favorizimin apo lobimin, aq më tepër në opozitë.
2. Se ish-bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrorë, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lirë, si korrupsion???? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ia ka shitur pronën??
Nëna ime në 2006 ia ka shitur shtëpinë tonë motrës time, që jeton gati 17 vite atje. Quhet fiktive?
3. Se bashkëjetuesja ime (që ka 20 vite që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar. Mercenarët e kapur në flagrance kanë pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im, s’e ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë nje cent për këte pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikojeni se është kollaj të mos e duash “fytyrën e ngrysur” timen në perceptim.
4. S’e kam bërë alokime e rialokime me kërkesë gjithmonë të ministrivë të linjës, si ministër Financash. Ej, Ministri i Financave ben gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njef ligjin e Buxhetit qesh me këtë akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexojë këte ligj.
5. Se kam bërë biznes ndërtimi në 2004 e kam marrë e kredi në 2006 për këte biznes (e verifikueshme nga banka Amerikane, sot Inteza san Paolo). Në komision u tha një e pavërtetë, që kredia është marre në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.
6. Për mosmarrjë pjesë në procedurë të tenderave dhe koncesioneve, për shkak të pozicioneve të mia zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare në ministri të Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë ne procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi.
7. Se eshtë perdorur fondi rezervë për financim e inceneratorit të Elbasanit. Edhe sikur te ishte kështu do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur unë s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, Z.Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këte vendim. Mësova kur u thirra në SPAK, se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjesë në këtë mbledhje qeverie.
Për ju që i lexoni si kureshtare (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bëjë me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re.
Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësore, apo dikur biznesi e tavolinash, ështe hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë do thoshte “mua s’më qeka bërë asnjë nga “non grata” që është lëshuar si hijenë bashkë me të deformuarin e zëshëm, apo “miq” me thika blu e rozë.
Dikush më tha “të duan në burg vëlla”.
Kam marrë kërcenime (I kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhë…po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë.
Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “ e fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes të publikut.
Më kanë quajtur “në arrati”. Mendoj që kam ikur për arsye serioze familjare (një pjesë e miqve të mi e dine përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për imuitetin tim të këtë shkuar në poste për të arritur pas disa ditësh në kuvend. Kush ka qejf për scoop ta quajë arrati. Dhe Luigjit të 16-të iu dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta “palë të treta” e një material 60 GB.
Së fundmi i falenderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershem, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte….
Në mbyllje, i kërkoj të falur familjes time, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjolës bashkjetueses time, Albinës, ish-gruas time, nënës time, motrave të mia, miqve të mi për shqetësimet që u kam sjellë pa dashje me këte histori. Shpresoj që të më falin në këtë jetë.
I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po zoti e di të vërtetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr.
To be continued…