Ujqërit i duan mëlçitë në qafë, por…
Nga Eduard Zaloshnja/
Në çerek shekullin e fundit, politikanët shqiptarë kanë zgjedhur drejtuesit e drejtësië, dhe këta të fundit kanë përzgjedhur gjykatësit dhe prokurorët aktualë. Dhe sot, rreth 80% e tyre nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre në deklaratat zyrtare që dorzojnë çdo vit rreth saj. Nga ana tjetër, rreth 90% e shqiptarëve mendojnë se drejtësia është e korruptuar dhe duhet reformuar.
Për më tepër, të një mendje janë edhe aleatët strategjikë të Shqipërisë – Uashingtoni, Brukseli e Berlini. Dhe në reformën që ata i kanë propozuar Shqipërisë, kyçi është procesi i “vettingut” (siç e quajnë në anglisht) ose i “radiografisë” (siç ka filluar të quhet në shqip) të të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve aktualë. Të djegur nga mënyra sesi janë përzgjedhur deri më sot këta të fundit, aleatët tanë strategjikë kanë ofruar një formulë spastrimi, e cila e lë politikën jashtë këtij procesi – rolin kryesor për përzgjedhjen e anëtarëve të këtyre dy institucioneve do ta kenë monitoruesit ndërkombëtarë (Avokati i Popullit do ketë vetëm një rol formal).
Ja se ç’shkruhet për këtë përzgjedhje në draftin që mbështesin aktualisht aleatët tanë strategjikë:
“Të gjithë kandidatët paraqesin pranë Avokatit të Popullit aplikimet dhe deklaratat e pasurive, në përputhje me parashikimet e ligjit. Avokati i Popullit harton një listë emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret përzgjedhëse FORMALE dhe ia dërgon atë Kuvendit.
Brenda 30 ditëve nga marrja e listës emërore, Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy Komisionerët Publikë nga lista e dërguar prej Avokatit të Popullit, DUKE MARRË PARASYSH REKOMANDIMET E DHËNA NGA OPERACIONI NDËRKOMBËTAR I MONITORIMIT”.
Por monitoruesit ndërkombëtarë nuk do të kenë rol vetëm në përzgjedhjen e njerzve që do të bëjnë “radiografinë”, por do të kenë rol të rëndësishëm edhe në kryerjen vetë “radiografisë”. Ja se ç’shkruhet për këtë gjë në draftin që mbështet aktualisht BBË-ja:
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit… Ka të drejtën të marrë të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.”
Siç kuptohet qartë nga formula e mësipërme, politikanët nuk do t’i kenë më në qafë mëlçitë e drejtësisë. Prandaj, disa e kundërshtojnë me vendosmëri atë formulë (duke u kapur tek fraksioni aq e kaq i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias) dhe kërcënojnë se do ta destabilizojnë vendin, nëse reforma e drejtësisë miratohet pa votat e tyre. Disa të tjerë, thonë se duhet sqaruar mirë puna e rekomandimit 88, sepse vendi mund të destabilizohet. Ndërsa pjesa tjetër e ka pranuar thirrjen e shefes së diplomacisë së BE-së Mogherini (dhe të ambasadorit amerikan në Tiranë) për ta votuar reformën në drejtësi ashtu siç e kanë sugjeruar SHBA dhe BE.
Me pak fjalë, kemi një betejë mes atyre politikanëve që duan të vazhdojnë t’i mbajnë në qafë mëlçitë e drejtësisë dhe Uashingtonit, Brukselit e Berlinit që duan t’ua heqin. Të shohim se kush do ta fitojë këtë betejë…