Ulja e barrës tatimore, Gjiknuri: Përfiton pjesa më e madhe e punonjësve në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri në fjalën e tij në seancën plenare të kësaj të enjte në Kuvend, tha se nisma e qeverisë për rregullimin fiskal të profesioneve të lira do të sjellë më shumë formalizim. Sipas tij, propozimet e bëra do të sjellin më shumë benefite.

“Unë vij si profesionist i lirë përpara se t’i bashkohesha politikës. Të gjithë këtu duhet të pranojmë që kanë qenë jashtë vëmendjes së rregullimit fiskal të qeverisë duke lënë hapësira të shumta që kanë nevojë për formalizim. Në fund të fundit ky projektligj synon ta normojë më mirë këtë gjë. Gjithmonë me qëllimin që jo të dëmtojë një grupim të popullatës, përkundrazi të krijojë rregullshmëri dhe benefite për grupe edhe më të mëdha të shoqërisë. Mendoj ndërhyrja që po bën qeveria qoftë duke formalizuar dhe duke normuar më mirë barrën fiskale duke lehtësuar ata që janë punonjësit e vërtetë, por njëkohësisht duke i ardhur në vitet e para në ndihmë industrisë për të kompensuar efektet financiare që ata kanë, është masa e duhur”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve shprehu vullnetin e mazhorancës për të ulur barrën tatimore për pjesën më të madhe të punonjësve në Shqipëri. Po ashtu Gjiknuri theksoi se në këtë mandate, qeveria socialiste po i kushton një vëmendje të shtuar masave sociale.

“Duhet përgëzuar kjo iniciativë e mazhorancës që ka të bëjë me lehtësirat që po krijohen duke ulur barrën tatimore për pjesën më të madhe të punonjësve në Shqipëri. Së pari do të përfitojnë nga fakti që paga minimale që do të rritet në 40 mijë lekë (të reja). Së dyti ulet barra fiskale, në këtë rast barra tatimore, për personat nga 40-50 mijë lekë në muaj apo ato nga 50-60 mijë lekë. Këtu janë bërë disa llogari. Mjafton dy shifra që i ka bërë qeveria. Për grupin e parë janë 15 600 lekë ose 156 000 lekë të vjetra të kursyera direkt për këta individë. Për grupin e dytë janë 7800 lekë apo 78 000 lekë të kursyer direkt për këta individë. Kjo është pjesa më e madhe, shtylla kurrizore e popullatës shqiptare sepse këto janë të ardhurat përgjithësisht e atyre njerëzve që mbajnë gjallë edhe industrinë”, deklaroi ai.

SHKARKO APP