Ultimatumi i Ramës, nisin dorëheqjet dhe shkarkimet e kryetarëve të Njësive Administrative në Elbasan, Kukës dhe Korçë
Pasi kryeministri Edi Rama la afat deri të hënën për largimin e kryetarëve të Njësive Administrative në vend, kanë nisur edhe dorëheqjet dhe shkarkimet e para.
Në qarkun e Elbasanit, drejtuesit e Njësive Administrative si dhe përgjegjësit e disa funksioneve firmosën dorëheqjet pas një mbledhjeje të mbajtur sot në bashkinë e Elbasanit.
Në Kukës, 14 drejtuesit e Njësive Administrative të këtij qarku, u shkarkuan nga kryebashkiaku Albert Halilaj. U shkarkuan gjithashtu edhe dy nënkryetarët e bashkisë Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu.
Puna e institucionit do të vijojë me përqendrim të shtuar në përmirësimin e treguesve të performancës, me synimin për të garantuar cilësi dhe shërbim më të mirë për çdo qytetar thuhet në njoftimin e Bashkisë Kukës.
Ndërkohë, në Korçë, 6 kryetarët e Njësive Administrative në varësi të kësaj bashkie, kanë dorëzuar dorëheqjet pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo. Por bëhet me dije se ata do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e pasardhësve të tyre. Ndërkohë, dy nënkryetarët e Bashkisë Korçë nuk kanë paraqitur dorëheqje, por gjithashtu nuk u është kërkuar një veprim i tillë prej kryebashkiakut.
Situata e njëjtë është shënuar edhe në Bashkinë e Kolonjës, ku tre kryetarë njësish administrative kanë dhënë dorëheqjen. Edhe 4 administratorët e bashkisë Devoll kanë dhënë dorëheqjen. Pritet që vala e dorëheqjeve të vijojë edhe në bashkitë e tjera të qarkut, Maliq dhe Pogradec.
KOHA JONË SONDAZH

