Rama hakmerret ndaj mediave kritike, e përjashton nga paketa e ndihmës. Reagon Unioni i Gazetarëve
Kryeministri Rama tha sot se do të marrë në konsideratë kërkesat e biznesit si dhe të oligarkëve. Bëri sikur i kritikoi oligarkët te news24, por lekët do t’jua jap atyre.
Ata lekët duan dhe le të bëjë sikur sulmon kryeministri!
Por kryeministri përjashtoi në mënyrë kategorike median e shkruar dhe atë audiovizive. Ndërkohë që mediat e shkruara janë mbyllur, televizionet po punojnë me kapacitete të reduktuara, kompanitë e reklamave kanë tërhequr reklamat, etj. Edhe media, ndonëse është pushtet i katërt, përsëri biznes mbetet. Edhe media paguan rrogat e punonjësve, sigurime shoqerore, taksa, tarifa, energji elektrike, taksa vendore, etj. Nëse donte kryeministri, administrata tatimore i verifikon për çdo media sa punonjës ka, me sa paga, sa sigurime shoqerore etj. Asnjë nuk mund të mashtrojë se janë listpagesat e çdo media.
Nëse kryeministri i përmbahet fjalës së tij se mediat nuk do të kompensohen apo nuk do paguhen si bizneset e tjera, kur rrezikohen qindra gazetarë të shkurtohen nga puna sepse mediat do jenë prag falimentimi, ky është një akt i pastër jo ligjor. Hakmarrës si veprim, bile kriminal si vendim. Por kryeministri këtë veprim e ka bërë për të goditur mediat kritike, pasi pronarët e mediave që i sherbejnë atij, Rama u jep leje ndërtimi, koncensione, tenderime,etj. Për të treguar se nuk iu jap asnjë medie, ai godet me këtë rast mediat që nuk i ka nën kontroll. Sepse po t’ia kërkonin mediat e oligarkëve apo ata që i sherbejnë, kryeministri do të vendoste ndihmën edhe për mediat. Por ata e marrin “racionin” cash! Ndaj Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dënon aktin e kryeministrit Edi Rama për të përjashtuar nga ndihma ndaj bizneseve të mediave shqiptare.
Përmes një deklarate për shtyp, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), Aleksandër Çipa, thekson se nga vendimi i Qeverisë Shqiptare në kushtet e situatës së pazakontë të shkaktuar nga pandemia, Mediat dhe gazetarët nuk mund të përjashtohen nga ndihma zoti Kryeministër: ky është diskriminim.
Deklarata
Deklaratë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), gazetarit Aleksandër Çipa, ndaj vendimit të Qeverisë Shqiptare në kushtet e situatës së pazakontë të shkaktuar nga pandemia
Mediat dhe gazetarët nuk mund të përjashtohen nga ndihma zoti Kryeministër: ky është diskriminim.
Qeveria e kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të masave për përballimin e pasojave dhe emergjencës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka vendosur që të paguajë të gjjthë punonjësit e bizneseve të mbyllur. Në këto kategori nuk është përfshirë sektori i medias. Mediat në vendin tonë, të regjistruara dhe taksapaguese si entitetet e tjera të biznesit, shërbejnë si burim të ardhurash mujore për mijëra të punësuar dhe, përtej ankesave të ritheksuara të UGSH, garantojnë sigurimet mujore të gazetarëve. Ky përjashtim për mediat dhe, rrjedhimisht, për gazetarët dhe punonjësit e thjeshtë bëhet pikërisht në një moment kur paraqitet një rrezik i theksuar falimentimi.
Media shqiptare është sot në gjendje kolapsi, pasi të gjjtha kompanitë reklamuese janë tërhequr. Asnjë biznes nuk bën reklamë në këtë kohë krize. Përjashtimi i mediave nga vendimi i qeverisë dhe indiferenca ndaj gazetarëve të punësuar në këtë sektor përbëjnë akt të pastër ndëshkues dhe penalizues për bukën dhe jetesën e gazetarëve dhe familjeve të tyre. Duhet ta themi se aktualisht, për shkak të kësaj krize, të gjitha televizionet dhe mediat audiovizive në përgjithësi, kanë reduktuar stafet, disa prej tyre edhe në masën 70%, pasi nuk kanë fuqi paguese.
Përjashtimi selektiv i entiteteve mediatike rrezikon të shndërrohet në një vullnet të pashprehur për të parë falimentimin dhe mbylljen e tyre. Mediat dhe fjala e lirë, pluralizmi dhe spektri informativ janë arma e vetme kundër territ informativ që paraqitet si një kërcënim konkret në ditët e luftës me pandeminë COVID-19.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin se nëse kjo situatë zgjat deri në fund të muajit prill, mediat, sidomos radio-televizionet, rrezikojnë të fikin sinjalin televiziv. Të njëjtin problem e kanë edhe mediat online, ku në një treg ende të parregulluar, nuk kanë asnjë burim financiar, përtej reklamuesve që po tërhiqen. Përjashtimi i mediave dhe gazetarëve nga vendimi i qeverisë është një dënim me varfëri dhe uri për gazetarët shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton të gjitha mediat, gazetarët dhe shoqatave aktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit të bashkohen në reagim dhe denoncim tê përbashkët kundër këtij vendimi diskriminues të qeverisë shqiptare.
Aleksandër Çipa
Kryetar, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 18.03.2020