Ura e Ibrit, Albin Kurti për ”Zërin e Amerikës”: As nuk do t’i befasojmë aleatët, por as nuk do të zvarritet pafundësisht
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër, për qarkullimin e automjeteve do të bëhet bazuar në një plan të cilin qeveria e tij, sikurse tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ai shtoi se Prishtina ka zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri dhe në jug të Kosovës, si dhe ka testuar qëndrueshmërinë fizike e teknike të urës mbi Ibër. Kurti tha se në raport me këtë çështje, Kosova synon që në njërën anë të mos i befasojë partnerët e saj, por në anën tjetër, të mos lejojë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Zoti Kurti foli gjithashtu mbi përplasjet me Perëndimin si dhe kritikat e opozitës për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje. Por sipas kryeministrit të Kosovës, dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjeherë në qëllime, vlera e parimeve, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione. Komentet zoti Kurti i bëri nga mjediset ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate amerikane, i ftuar nga Instituti Kombëtar Demokrat (NDI).
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, duke filluar nga sot për 4 ditë, demokratët do të mblidhen në atë që zakonisht është një paradë festive e partisë. Por krahas zhvillimeve normale në kuadër të punimeve të Kuvendit, zakonisht aktivitete të tilla shoqërohen edhe me takime të tjera, jashtë sallës. Cili është synimi juaj gjatë këtyre ditëve në Çikago?
Albin Kurti: Ky Kuvend Kombëtar i Demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është historik. Në njërën anë kemi rrethana të papara e të papërjetuara edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në anën tjetër kemi edhe një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe një vitalitet të demokracisë, i cili është unik për mbarë botën. Në këtë Kuvend Kombëtar të demokratëve do të kem mundësinë të zhvillojë edhe disa takime të rëndësishme, por duhet theksuar se këtu jam ftuar si Kryeministër i një shteti demokratik dhe si kryetar i një subjekti politik socialdemokrat. Sidomos në vitet e fundit, Kosova ka shënuar një zhvillim të hovshëm ekonomik me 6.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto si rritje mesatare ekonomike, por edhe një progres të shquar demokratik, meqenëse edhe sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër kurrupsionit, lirisë së mediave, të drejtave politike dhe lirive civile, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ne kemi çfarë t’u tregojmë miqve dhe partnerëve tanë amerikanë për sukseset e Kosovës dhe njëkohësisht të mësojmë nga përvojat e tyre, që janë të paçmueshme.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Kryeministër, ditët e fundit ju jeni përplasur sërish me Perëndimin, lidhur me vendimin tuaj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave. Të gjithë diplomatët e akredituar në Kosovë dhe zyrtarët e forcave paqeruajtëse kërkuan që ju të mos e bëni këtë gjë, tani. A keni ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje?
Albin Kurti: Me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë ne asnjëherë, në asnjë situatë, nuk kemi dallime sa i përket qëllimeve, vlerave dhe parimeve. Nganjëherë rrallë, kemi dallime sa i përket strategjive, taktikave dhe operacioneve. Por, zakonisht këto dallime të jashtëzakonshme, sepse janë të rralla, bëhen lajme të mëdha. Ndërkaq përputhshmëria e zakonshme është ajo që nuk arrin të bëhet lajm. Edhe në këtë rast, kemi një situatë të ngjashme, ura mbi lumin Ibër është dashur të hapej atëherë kur është çliruar Kosova para 25 viteve. Ajo nuk është dashur të jetë e mbyllur atëherë kur u pavarësua Kosova para 16 viteve. Ajo është dashur të jetë e hapur edhe para tetë viteve, në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Në këtë mënyrë, në jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin. Në të dyja anët e lumit Ibër të ketë sundim të ligjit, që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni që ne mund të themi që sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë vlejnë gjithandej Kosovë, për të gjithë, tërë kohën, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër. Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet. Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes në njërën anë, edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt. Ajo është për komunitetin serb, për shqiptarët, për boshnjakët dhe për të gjitha pakicat e tjera, si turqit, egjiptianët, ashkalinjtë dhe romët. Kjo është për të gjithë qytetarët e republikës tonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret. Ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, kur thoni se po dëgjoni sugjerimet, a do të thotë që mund edhe ta shtyni në kohë vendimin?
Albin Kurti: Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, opozita tek ju është e pakënaqur, kërkon që veprimet në veri të jenë të bashkërenduara me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe ju kritikon se situata si kjo me urën po shfrytëzohen për qëllime elektorale. Si i përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Albin Kurti: Unë kisha shpresuar që do të kishim zgjedhje në muajin qershor, ose korrik. Pastaj kisha shpresuar që do të kishim zgjedhje në vjeshtën e këtij viti, mirëpo duke qenë që zgjedhjet do të jenë me 9 shkurt të vitit të ardhshëm, nuk mund të thuhet që kjo ka të bëjë me fushatën elektorale. Përkundrazi, subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, që unë drejtoj, është shumë komod drejt zgjedhjeve të reja. Mbështetja për ne është edhe më e madhe tani, sesa në pranverën e vitit 2021. Ajo çfarë ne po bëjmë është sundimi i ligjit në një shtet sovran, demokratik e të pavarur për të mirën e të gjitha komuniteteve pa dallim.
Lëvizja e lirë është diçka që nuk mund të negociohet për shkak se është e drejtë themelore, por në të njëjtën kohë, unë i kuptoj partnerët tanë, të cilët shfaqin brenga sa i përket cënimit të sigurisë dhe me planin tonë ne po i minimizojmë të gjitha frikërat, ose perceptimet e frikës, që ekzistojnë tek kushdo në këtë periudhë. Pra edhe për të mirën e opozitës, ne besojmë që është mirë që bashkërisht ta realizojmë këtë hapje të urës meqenëse marrëveshja për hapjen e urës është bërë në Bruksel pikërisht nga ata që dikur ishin qeveri, e sot janë në opozitë.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel me Serbinë, megjithëse ka rënë dakord se është diskutuar dhe më herët. A jeni të gatshëm ta ridiskutoni këtë çështje në Bruksel?
Albin Kurti: Diskutimet në Bruksel janë zhvilluar në vitet 2014-2017 dhe ato kanë përfunduar jo vetëm me marrëveshje për hapjen e urës, por njëkohësisht edhe me marrëveshje për një plan të zbatimit se si do të duhej të hapej ura. Afati i fundit ka qenë 20 janari i vitit 2017. Nëse është bërë një marrëveshje dhe bëhet diskutim mbi marrëveshjen kjo është një mënyrë indirekte e shkeljes së marrëveshjes. Ne nuk jemi të gatshëm që të marrim pjesë në shkelje të marrëveshjes dhe liria e lëvizjes mbi lumin Ibër, në urën kryesore në Mitrovicë, nuk do të duhej që të rinegociohej. Ura është tejkalim, është tejkalim i lumit. Nuk mund të kemi tejkalim të urës, sepse shpeshherë ka pasur sugjerime që mjaftojnë urat e tjera. Nuk mund t’i bëjmë urën, urës. Ura ia bën urën lumit Ibër për të mirën e qytetarëve dhe për këtë insistojmë ne.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër ka kaluar një vit e gjysmë që nga momenti që nga momenti që ju keni rënë dakord në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje normalizimi, por pothuajse asnjë hap nuk është hedhur drejt zbatimit të saj. Nëse ju nuk filloni me zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit dhe Serbia refuzon të përmbushë detyrimet që çojnë në njohjen de facto të Kosovës, mund të krijohet një status quo, apo një lloj konflikti i ngrirë. A keni ju një plan B për ta tejkaluar situatën?
Albin Kurti: Nuk mund të kemi plan B nëse nuk respektohet plani A dhe nëse nuk ka vullnet të mirë dhe mirëbesim të palëve. Është e vërtetë që ka kaluar një vit e gjysëm që kur ne kemi bërë marrëveshjen në Bruksel, marrëveshja bazike, së cilës iu bashkëngjit edhe aneksi i zbatimit, nga Ohri. Ne e respektojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm që ajo të zbatohet, por nuk mund të kemi partneritet në zbatim, përderisa ka mosrespektim. Në dhjetor të vitit të kaluar ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, praktikisht me letër publike dhe zyrtare drejtuar 27-es së Bashkimit Evropian, u tërhoq në emër të Serbisë nga marrëveshja bazike. Pra Serbia duhet të kthehet tek marrëveshja, ta respektojë atë, në mënyrë që ta zbatojmë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë edhe 39 marrëveshjet e mëhershme që pararendësit e mi i kanë bërë në Bruksel. Unë jam shumë i interesuar përveçse i gatshëm, që t’i trajtoj ato me përpikmëri dhe përkushtim, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të cilat natyrisht në zemër të tyre duhet të kenë atë që siç e ka quajtur Presidenti amerikan Biden, njohje reciproke, pra ku Kosova e njeh Serbinë sepse Serbia e njeh Kosovën.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër ju ndodheni në Çikago në kuadër të njërës prej vizitave të rralla në Shtetet e Bashkuara dhe sipas kritikëve kjo pasqyron një rënie të nivelit të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesorë të saj. A jeni i shqetësuar se këto marrëdhënie janë dëmtuar seriozisht?
Albin Kurti: Nuk besoj që ka kurrëfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë. Ne kemi bërë kontratën më të madhe që është bërë ndonjëherë me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, 236 milionë dollarë, për bateritë për energjinë e ripërtëritshme, dhe përveç kësaj jemi duke blerë sistemet antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dëshirojmë që të forcojmë ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka bashkë-zbarkuar me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe në çdo aspekt, në tregti, në energji, në ekonomi, dhe pastaj bashkëpunimi jonë me USAID-in e solli vlerësimin e Kosovës me 2B minus, që është vlerësimi i parë nga Fitch Ratings, i një organizate ndërkombëtare për ekonominë tonë, në arenën ndërkombëtare ekonomike. Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar dhe është thelluar, mospatimet sporadike, kurrë për vlera parime e qëllime, po nganjëherë, për strategji taktika dhe operacione, bëhen lajme të mëdha. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me arritjet e Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin e ndërtimin e së cilës, kanë kontribuar si askusht tjetër.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër në pak muaj në Shtetet e Bashkuara mbahen zgjedhjet presidenciale, të cilat po ndiqen me vëmendje në të gjithë botën. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrative, duke pasur parasysh qëndrimet e zotit Donald Trump ndaj NATO-s. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt, duke pasur parasysh marrëdhëniet tuaja me ish-administratën Trump?
Albin Kurti: Padyshim që kemi një situatë në të cilën Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një kandidat të pazakonshëm, bëhet fjala pra për ish-Presidentin Donald Trump, i cili në raport me NATO-n ka patur si vërejtje të tij kryesore, që shtetet anëtare do të duhet që të arrijnë kuotën prej 2 për qind sa i përket shpenzimeve për mbrotjen dhe sigurinë. Në këtë aspekt besoj që Kosova është në anën e ndritshme, për shkak se ne tashmë e kemi mbërritur kuotën prej 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, meqenëse i kemi dyfishuar shpenzimet për mbrojtjen, e kemi trefishuar shpenzimet për armatime, si dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohim si partner dhe në preokupimin kryesor të ish-Presidentit Trump, Kosova edhe aty merr notë pozitive. Natyrisht kjo nuk e ndryshon faktin që unë si kryetar subjekti politik dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, mbetem demokrat, mbetem socialdemokrat. /VOA/