Urdhri i Prokurorisë mbërrin në Polici, pritet arrestimi i Ervin Salianjit
Pas Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria ka dërguar në Drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës, urdhrin për ekzekutimin e vendimit të marrë dje nga Gjykata e Apelit për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji.
Dokumenti i plotë i Prokurorisë:
Në Tiranë, sot më datë 27.09.2024, unë Elona Alvora, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi studiova vendimin Nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë me datë 26.09.2024 me vendimin nr 3473 çështja të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhënë për të dënuarin:
Ervin Salianji, i biri i Bujar dhe Shegë, i dti 16.01.1988, lindur në Korçë, me arsim të lartë, me shtetësi shqiptare, banues në Tiranë, rruga “Asim Vokshi”, i ndjekur në gjendje të lirë, i përfaqësuar nga Av. Ledio Braho,
KONSTATOVA
Me vendimin penal nr. 2900, datë 18.12.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndër të tjera:
Të deklarojë fajtor të pandehurin Ervin Salianji për veprën penale “Kallzimi i rremë”. kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 të Kodit Penal, e denon me I (nje) vit burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ervin Salianji, fillon nga dita që ky vendim merr formë të prerë.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ervin Salianji, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme
Ky vendim gjyqësor është marrë në shqyrtim më datë 26.09.2024 me vendimin nr 3473 çështja të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku në lidhje me të dënuarin është vendosur si vijon:
“Lënien në fuqi të vendimit nr 2900, date 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane.” Vendimi është sjellë për ekzekutim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë te Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Rezulton se shtetasi Ervin Salianji është deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për pasojë një kopje e urdhrit duhet t’i komunikohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Për sa më sipër, në mbështetje të neneve 462-464 të K.Pr.Penale, si dhe ligjit 79/2020 Par ekzekutimin e vendimeve penale”,
Ekzekutimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë më datë 26.09.2024, për të dënuarin Ervin Bujar Salianji, për kryerjen e veprës penale “Kallzimi I rremë” (kryer në bashkëpunim) parashikuar nga neni 305 e 25 të Kodit Penal.
Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen:
2.1 I dënuari duhet të vuaj dënimin në masën 1 (një) vit burgim në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në kushtet kur hetimi dhe gjykimi I shtetasit Ervin Bujar Salianji është bërë në gjendje të lirë, ngarkohet me ekzekutimin e kësaj pike të vendimit gjyqësor Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Ky urdhër t’i njoftohet të dënuarit Ervin Bujar Salianji, mbrojtësit, Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (për shkak se I dënuari gëzon statusin e deputetit), si dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Për fillimin dhe përfundimin e ekzekutimit të këtij vendimi penal të njoftohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që ka nxjerrë urdhërin e ekzekutimit.