Urimi i Nishanit dhe Ramës për shqiptarët kudo në botë (Video)

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154336943071523/

Uron Kryeministri Edi Rama Vitin e Ri për shqiptarët ( Video)

Urimi i Bujar Nishanit, Presidentit të Republikës:

Të dashur bashkëqytetarë,

Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni,

Motra dhe vëllezër,

Mirëmbrëma të gjithëve!

Erdhëm në fundin e një viti tjetër, që na mbledh me njëri-tjetrin në vatrat familjare, siç është traditë tashmë, në një mbrëmje të veçantë reflektimi, gëzimi, ëndërrimi për nesër.

Kjo është festa e përbotshme e ndërrimit të viteve, e kapërcimit nga një fund në një fillim, e nisjes së re të gjithsecilit në rrugën e mrekullueshme të jetës, pavarësisht pengesave dhe vështirësive.

Në këtë festë të madhe, në këtë botë të madhe, ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët, një popull jo shumë i madh në numër, por nga më të vjetrit, që ka lindur dhe dëshiron të jetë përgjithmonë pjesë e familjes euro-atlantike.

Sonte është nata e miliona urimeve për një vit më të mirë, më të mbarë, më të begatë, për të gjithë shqiptarët në të katër anët e globit.

Motra dhe vëllezër,

Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar pa dyshim dhe do të doja t’ju uroja një për një, në cilësinë e Presidentit të Republikës, në emër të shtetit shqiptar!

Në pamundësi, me lejoni të veçoj, apo më saktë, t’ju ftoj të bashkojmë urimin tonë të përbashkët, nga thellësia e shpirtit, për disa grupe apo individë që na ftojnë për kujdesje dhe solidaritet më shumë se të tjerët.

Urimin e parë e kam për fëmijët, bukuria e shtëpive tona, shpresa e së ardhmes sonë: Gëzuar të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, t’i kemi me jetë, të bukur, të shëndetshëm, të qeshur, të lumtur, plot dritë si e ardhmja që ëndërrojmë të ndërtojmë!

Urimi ynë për një vit më të mirë dhe më të gëzueshëm shkon për ato familje që sot u mungojnë të afërmit e tyre, për jetimët, për fëmijët dhe familjet e të gjithë të rënëve në krye të detyrës.

Një urim të veçantë për të gjithë ata bashkatdhetarë, të cilët, për një arsye apo një tjetër, nuk janë pranë familjeve të tyre sonte, nuk festojnë në vatrat e ngrohta familjare. Kam parasysh të sëmurët në spitale. Kam parasysh të gjithë ata që kjo natë i gjen në krye të detyrës – mjekët, infermierët, forcat e rendit, punonjës të sektorëve të tjerë – duke qenë se vendi ka nevojë çdo çast për rend dhe shërbime.

Si gjithnjë le t’i japim rrugë urimit të veçantë, në emër të mbarë shqiptarëve, për forcat tona ushtarake në Afganistan dhe kudo tjetër ata shërbejnë e që mbajnë lart flamurin tonë kombëtar kuq e zi në përpjekjen e madhe botërore për paqe, rend, siguri e përparim.

Të gjithëve dua t’u them: të afërmit tuaj janë me ju sonte! Shqipëria është me ju, unë jam me ju. Gëzuar!

Motra dhe vëllezër,

Viti 2016 që po lëmë pas, veç vështirësive, ka shënuar edhe disa ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, që sonte i kujtojmë.

Dua ta filloj me një nga ngjarjet më gjithëpërfshirëse, siç ishte pjesëmarrja për herë të parë e ekipit tonë kombëtar të futbollit në Kampionatin Evropian, që u zhvillua në Francë. Ishte vërtet mbresëlënëse ajo që pamë në fushën e lojës dhe jashtë saj. Lojtarët e kombëtares dhe tifozeria jonë e jashtëzakonshme e transformuan muajin qershor në një muaj feste për të gjithë kombin duke i transmetuar mbarë globit fytyrën tonë të vërtetë, bukurinë e popullit shqiptar.

Më 22 korrik, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, miratoi konsensualisht Reformën Kushtetuese në Drejtësi, duke i hapur rrugë një ndryshimi thelbësor në sistemin tonë të drejtësisë, por dhe në tërësi marrëdhënieve mes tre pushteteve, atij Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor.

Viti 2017 duhet të jetë viti që kjo reformë të fillojë të flasë me vepra.

Më 4 shtator, u zhvillua në Vatikan ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës, kësaj gruaje të rrallë të njerëzimit, e cila i përkiste Shqipërisë nga gjaku dhe origjina.

Dy muaj më pas, më 5 nëntor, po në Vatikan, Papa Françesku, me urtësinë dhe lartësinë e misionit të tij të shenjtë, lumturoi 38 martirët e ekzekutuar gjatë regjimit komunist.

Këto janë ngjarje të mëdha për memorien tonë kolektive. Midis këtyre ngjarjeve kulmore ka plot ngjarje të tjera kuptimplotë që kanë shënuar vitin që po lëmë pas.

Të dashur bashkëqytetarë,

Hapja e Negociatave për anëtarësim do kish qenë një moment kulmor gëzimi në epilogun e këtij viti, e megjithatë ky vendim i Këshillit Evropian na ndërgjegjëson edhe më shumë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë sfida për t’u përballur.

Rezultatet konkrete me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, në respektimin e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë sprovën tonë të madhe.

Zgjedhjet e 18 qershorit të ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë tonë. Standardi i këtyre zgjedhjeve është kriteri kryesor për një mundësi që të shkojmë më përpara në përmirësimin e jetës sonë të përditshme. Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kam dhe një apel të sinqertë, mbi të gjitha për liderët politikë.

Është koha për një marrëveshje politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është koha ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e shitblerjes së votës, e kërcënimit të votuesit me bukën e përditshme;

Është koha të garojnë alternativat politike-ekonomike për t’i sigururar vendit një qeverisje më të mirë, për të rikthyer besimin tek politika, për të rikthyer shpresën tek qytetarët që vazhdojnë të largohen në masë.

Dua gjithashtu t’u përcjell një apel në cilësinë e Presidentit të Republikës të gjithë drejtuesve dhe përfaqësuesve të agjensive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimeve Inteligjente, partnerëve tanë ndërkombëtarë, shoqërisë civile, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Viti 2016 është një njollë e zezë për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Ky fenomen dhe mosluftimi i tij përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Ndaj, si qytetar shqiptar, si prind, që dua ta shoh, sikurse të gjithë ju, të ardhmen e fëmijëve të mi në këtë vend, gjej rastin t’i jap sërish zë këtij shqetësimi dhe të sensibilizoj opinionin publik mbi kërcënimin real të këtij fenomeni, aq më tepër në këtë vit zgjedhor.

Vështirësitë ekonomike, problemet dhe dramat e qytetarëve le të jenë një apel i ri për vendimarrësit, për drejtuesit e institucioneve dhe për politikanët në veçanti për të bërë atë që presin shqiptarët prej tyre.

Urimi im është që Viti 2017 të shënojë një kthesë të fortë e pozitive në gjithë politikëbërjen në vend për të kapur kohën e humbur, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, për  mirëqenien, dinjitetin dhe sigurinë e gjithë qytetarëve.

Të dashur bashkëqytetarë,

Tani numërimi mbrapsht i minutave ka filluar. Të gjithë ju po bëheni gati të takoni gotat dhe të shkëmbeni përqafimet e momentit të ndërrimit të viteve.

Më lejoni t’ju uroj nga zemra të gjithëve: Gëzuar Vitin e Ri 2017!

Qoftë një vit i mbarë e i begatë për ju, familjen tuaj, të afërmit e miqtë tuaj, një vit i mbushur me më shumë dashuri, përkushtim dhe solidaritet në familjet tona, në shoqërinë tonë, në Shqipërinë tonë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Gëzuar!

SHKARKO APP