Vaksinimi antiCovid, Tritan Shehu: Të fundit në Europë. Lërini fishekzjarrët për Covax, jemi për të “qarë”
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu thotë se vendi ynë është i fundit në Europë sa i takon menaxhimit të situatës nga pandemia e koronavirusit, duke u ndalur tek vaksinimi por dhe humbjet në njerëz nga virusi.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Shehu pohoi se në bazë të popullsisë, Shqipërisë mund t’i takojnë nga COVAX aq doza sa për të vaksinuar vetëm 1000 persona për deri në fund të vitit.
MESAZHI I SHEHUT
Lërini Fishekzjarrët për Covax, të dytat mbas atyre për 480 vaksinat “kontrabandë”!
Në fakt jemi për të “qarë”, jemi në fund të Europës për menaxhimin Covid, numrin real të humbjeve…edhe për procesin e vaksinimit!
Dëgjoj një eufori nga ana e qeverisë se, mbas vendimit të Pfizer për të furnizuar Covax me 40 milionë doza, pra maksimumi për 20 M vaksinime, për deri në fund të vitit 2021.
Qesharake kjo, është sikur të kapesh te “flokët” e tu për të shpëtuar.
Bëni një llogari të thjeshtë, ato 20 M Vaksina janë për rreth 100 shtete të botes së pazhvilluar, që në bazë të popullsive, Shqipërisë mund t’i takojnë për 1000 persona për deri në fund të vitit: dhe kjo i indukton eufori disave kur ne na duhet të vaksinojmë rreth 2,4 milionë qytetarë, normalisht para dimrit.
Unë e di, në periudhat që vijnë Covax do të gjejë edhe të tjerë prodhues, një pjesë e tyre të pacertifikuar nga EMA a FDA, por përsëri….
Jua kemi thënë që në shtator, mos u koncentroni vetëm te Covax.
Ai angazhohet të furnizoje në rastin më të mirë deri në 20% të popullsisë së vendeve aplikante, dhe kjo për periudha të gjata, se ai është një mekanizëm i ngadaltë, që del edhe nga principet e sigurisë medikamentoze të BE, pra nuk përmbush standardet europiane, është i destinuar për të tjera standarde.
Kjo është e vërteta, këto janë objektivat e tij, që janë shumë nën kerkesat e pritshmëritë që duhet të kishte Shqipëria.
Prandaj, edhe tashti që fatkeqësisht jeni shumë vonë prej aventurizmave tuaja, bëhuni një herë seriozë, thoni gjërat si janë, pranoni dështimin, kërkoni mbështetjen e të gjithëve për të bërë më të mirën e mundshme në këto kushte tejet të vështira të krijuara nga ju!
Megjithatë 25 prilli po afron, e shumë gjëra do te përmirësohen atëherë!