Vaksinimi për prokurorët, OPGJ-ve dhe stafin. KLP letër Manastirliut: Nuk punohet më online

Në kuadër të procesit të vaksinimit në vend që deri më tani po ecën me ritme të shpejta, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkon ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vaksinimin e prokurorëve, OPGJ-ve dhe stafit administrativ të Prokurorive. Në letrën që KLP-ja i ka dërguar ministres, thuhet se në total janë 928 persona.

“Në emër të KLP-së, kryetari Gent Ibrahimi i dërgoi sot Ogerta Manastirliut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kërkesën për përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ, në listën prioritare për vaksinim. Në total grupi i sipërpërmëndur konsiston në 928 persona. Në vijim mund të gjeni shkresën zyrtare”.

Në letrën që mban firmën e kreut të këtij institucioni, Gent Ibrahimi thuhet se prokurorët janë shumë të rrezikuar përballë këtij virusi, për këtë arsye duhet të vaksinohen, pasi puna e tyre nuk mund të bëhet online. Aktualisht procesi i vaksinimit vijon për persona mbi 50 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë janë kryer 890.052 vaksinime me objektivin për të arritur 1 mln vaksinime në total brenda muajit qershor.

“Natyra e punës së prokurorisë është e tillë që dikton kontakt të vazhdueshëm e të afërm me një numër të lartë personazh në zyrat e prokurorisë, në gjykata, në terren, në institucione ku vuhen dënimet penale etj. Kjo vlen si për prokurorët ashtu edhe për oficerët e policisë gjyqësore dhe administratën. Për më tepër, puna e sistemit të Prokurorisë nuk mund të ndërpritet apo të zhvillohet online në asnjë rrethanë. Në të vërtetë puna nuk është ndërprerë as në pikun e pandemisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

SHKARKO APP