Vasil Llajo kandidat i PS në listën e hapur: Dy prioritetet e mia, certifikatat e pronësisë dhe infrastruktura
Kandidati i PS-së për deputet në listën e hapur të Vlorës, mjeku Vasil Llajo tregon përjetimet e fushatës dhe prioritetet nëse fiton mandatin. Llajo i cili mbulon bashkitë Sarandë, Finiq dhe Konispol, tha se po përpiqet të vizitojë çdo fshat dhe zonë për të dëgjuar nga afër problemet e qytetarëve dhe për të ndërtuar një komunikim të drejtpërdrejtë e të sinqertë me ta. ”Jam detyruar të luaj një rol aktiv, duke premtuar gjëra të reja që nuk janë adresuar katër vite më parë dhe të fokusohem te nevojat aktuale të njerëzve”,-u shpreh ai.
Një nga premtimet e para që Llajo shpalosi ishte zgjidhja e problemit të certifikatave të pronësisë, të cilin e cilësoi një nga problematikat më të mëdha të banorëve të zonës. ”Besoj se është një çështje teknike që mund të zgjidhet me përkushtim dhe buxhet të shtuar nga qeveria qendrore”.
Infrastruktura mbetet një tjetër prioritet, sidomos në zonat rurale të thella. ”Ka fshatra që janë ende të izoluar për shkak të mungesës së rrugëve. Kjo e bën jetën më të vështirë për banorët”. Në fund, ai theksoi se politika nuk do ta largojë nga profesioni i mjekut, të cilit i është përkushtuar prej vitesh. ”Do të vijoj aktivitetin tim mjekësor. Politika për mua është një mision shtesë, jo një zëvendësim”.
KOHA JONË SONDAZH

