Vasili: Çfarë di Xhafa që Edi Rama e hedh atë në turren e druve?

Nga Petrit Vasili

“Edi Rama vetëm tani njohu Fatmir Xhafën. Media e akaparuar trashë,  po kaq trashë bën sikur zbulon Xhafën sot.

Po e njëjta media që ka shkruar elegji dhe antologji të tëra mediatike për Xhafën ideator e realizues të reformës në drejtësi, zbatues i reformës në polici, njeriut që godiste grupet kriminale, që asgjësonte drogën e Tahirit etj etj, sot post mortum zbuloi Xhafën “e vërtetë”.

Se sa i madh është akaparimi, trasta apo zhakja, gjejeni vetë emrin, këtë e di vetëm Edi Rama se është edhe ai hallexhiu i madh, po vërtet hallexhiu i madh. Top Chanel nuk tha asgjë te re per Xhafajn, por rixhiroi një film të vjetër me një çmim të ri, për një hesap të ri dhe për një hall të madh të ri të Edi Ramës.

Xhafaj është po i njëjti, por Rama ka ndryshuar…..nga halli i madh.

Çfarë di Xhafa që i dhemb kaq shumë Edi Ramës që e detyron të urdhëroje djegien e tij në “turrën e druve”? (Petrit Vasili)

Ja disa fragmente nga Top Channel”:

Kjo është fotoja e Alban Qazimi, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt, i cili nuk është lakuar kurrë më parë në media.

Ai është aksioner në kompaninë private të Përmbarimit T.M.A, së bashku me Tedi Malavecin.

Ky i fundit është kryetar i Dhomës së Përmbaruesve ndërsa në vitin 2005 ka qënë Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Alban Qazimi ka marrë çertifikatën e përmbaruesit gjyqësor në vitin 2015 dhe provimi në Ministrinë e Drejtësisë administrohej pikërisht nga ortaku i tij Malaveci.

Kompania e tyre T.M.A është krijuar në 24 Janar të 2013-ës vit në të cilin ka kryer gjithsej 10 transaksione nga institucionet publike me vlerë të përgjithshme 2.5 lekë të vjetra. Përfitimet nga kjo kompani nisin kryesisht pas muajit Shtator kur ndodh edhe rotacioni politik.

Brenda 1 viti, kompania e vëllait të Xhafajt, 10 fishon të ardhurat nga fondet publike, në 24 milione lekë. Dhe brenda 3 viteve, 2015-2018, i 70 fishon sërish përfitimet, duke kapur rreth 1.7 miliardë lekë të vjetra.

Image

Pra, nga hiçi në 2013, vëllai i Xhafajt bëhet miliarder. Këtu flasim vetëm për fondet publike, paratë e të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Por kjo kompani e vëllait të Xhafajt, ka sfiduar shpesh herë edhe institucionet shtetërorë.

Rasti është për një procedurë hetimore të ndërmarrë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale ndaj kompanisë T.M.A. Siç citohet edhe në raportin e mbajtur, inspektorët u paraqitën plot katër herë në zyrat e kompanisë, por hasën në kundërshtitë e përfaqësuesve të kompanisë për kryerjen e hetimit.

Të gjendur në pamundësi për të kryer hetimin, caktohet një seancë dëgjimore në ambjentet e Komisionerit, ku përfaqësuesit e T.M.A. Tedi Malaveci dhe Alban Qazimi nuk paraqiten. Në këto kushte, ndaj kompanisë vendoset një gjobë prej 500 mijë lekësh për shmangien e kontrollit, me aktin numër 12, të datës 12 Mars 2018.

Por, çuditërisht, pas një muaji është ky institucion që anulon gjobën e vendosur ndaj kompanisë së vëllait të ministrit Xhafaj. Përmes aktit numër 12 fraksion 1, është Komisineri Besnik Dervishi që rrëzon një akt, që e kishte firmosur po vetë ai një muaj më herët.

Skandali më i madh me kompaninë e vëllait të Xhafajt, T.M.A është ajo për sekuestrimin e aseteve të ARMO-s, që vlen miliona euro.

Në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Mallakastër ka pasur 54 prona të regjistruara në emër të ARMO Sha. Për këto prona ka pasur shtatë procedura përmbarimore. Në kodin e procedurës civile përcaktohet radha e kreditorëve preferencialë që janë: në fillim shlyerja e pagave të punonjësve, e më pas, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e në fund palët e treta të lidhura me kompaninë.

Por çuditërisht prioritet ka marrë një urdhër ekzekutimi të iniciuar nga shoqëria përmbarimore T.M.A për kreditorin për një bankë të nivelit të dytë, që ishte e fundit në listë.

Blerja nga kjo bankë e nivelit të dytë, të aseteve që ajo kishte nxjerrë në ankand për të ekzekutuar kolateralin ndaj ARMO-s ka ngjallur dyshime në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka urdhëruar një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave.

Në fund të hetimit anëtari i grupit të inspektimit Arlind Arapi është larguar nga detyra nga ana e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e konsideruar edhe kjo si një prej njerëzve të afërt të Fatmir Xhafajt në Partinë Socialiste.

E gjithë procedura e jashtëligjme e ankandit e zhvilluar nga kompania e përmbarimit T.M.A., ekspozon Shqipërinë ndaj një rreziku të mundshëm për padi në arbitrazh ndërkombëtar.

Ajo që e bën më të dyshimtë gjithë këtë abuzim lidhet me kompaninë e cila merr në shfrytëzim ARMO-n pas tjetërsimit të pronave. Bëhet fjalë për IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY ose shkurt e njohur si IRTC. Kjo kompani, është krijuar në Qershor të 2016-ës, në periudhën kur përmbaruesi T.M.A. kishte nisur lëvizjet për tjetërsimin e pronave të ARMO-s.

…..

Ish-deputeti Kastriot Islami, e ka quajtur Fatmir Xhafajn një vegël të Partisë së Punës për shkak të angazhimeve të tij në sistemin e drejtësisë gjatë komunizmit.

“Është një personazh, është një vegël e PPSH që Rama e ka përdorur me efikastitet deri në minutën e fundit”, tha Islami.

Por, mbështetja nga Rama duket se e kishte një kufi. Disa ditë pasi policia prangosi dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, gjatë operacioneve ndaj 4 grupeve kriminale, krejt papritur kryeministri Edi Rama njofton në rrjetet sociale dorëheqjen e Xhafajt.

“Thuhet se është detyruar të largohet për shkak, këtyre konjulturave që janë vendosur nga lufta e grupeve, bandave të Rilindjes”, tha Islami.

“Nuk besoj se ka qenë përplasje e hapur, por rruga që mori Xhafaj po shkonte drejt goditjes së atyre kokave të mëdha që quhen Padrino siç është rasti Dako apo siç është rasti i kryetarit të bashkisë së Elbasanit”, tha analisti Dritan Hila.

Tensioni u rrit më tej pas aksionit ndaj grupit të Avdylajve nga Shijaku. Njësoj si me Tahirin, edhe me kësaj here u shpërndan në media disa përgjime që implikonin Vangjush Dakon në pazare të votave me njërin prej pjestarëve të bandës së Avdylajve.

“Qasja e pakompromis që po bënte zoti Xhafaj edhe mund ta ketë trembur zotin Rama për goditjen ndaj kokave të larta të PS dhe e ka shtyrë tletë themi një presion që e ka shtyrë Xhafën në dorëheqje”, tha Hila.

Këto përgjime qëndronin prej më shumë se 1 viti në zyrën e Prokurorisë, por dolën pikërisht në momentin kur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama ishin intesifikuar. Dukej si një luftë e brendshme mes klanesh, mes Xhafajt dhe Tahirit.

“Sot janë interesa të ngushta të grupeve që i lidh interesi i çastit por të jeni të sigurt që asnjë nuk është kundër zotit Rama, asnjë nuk guxon të dalë kundër udhëheqësit absolute dhe komandantit supreme që ua pret kokat”, tha Marko Bello.

“Ka dhe një gjë tjetër që kur hyn në një parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje përpara. Diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe thotë unë jam njeri i lirë. Jo, s’je njeri i lirë. Je njeri i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë, po s’je i lirë të dalësh atje dhe t’i gjuash shtëpisë ku jemi bashkë se s’ka kuptim”, thotë Rama.

Pikërisht për këtë arsye vjen largimi i papritur i Xhafajt si Ministër i Brendshëm. Ai i kishte dërguar kryeministrit Rama një letër dorëheqje pa asnjë motivacion. Këtë letër, Rama e ka përcjellë numri 2 i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Dy ditë para se Rama të njoftonte publikisht largimin e Xhafajt, zhvillohet një takim ku ishte i pranishëm edhe Ruçi. Top Story mëson nga burime konfidenciale se aty Xhafaj i ka shprehur pakënaqësi Ramës duke pretenduar se nuk ka pasur mbështetjen e duhur të qeverisë.

Në ato momente, Rama ka ngritur tonet duke e shkarkuar në vend dhe duke e nxjerrë nga zyra. Në këtë debat nuk ka mundur të ndërhyjë as Gramoz Ruçi, i cili thuhet se e kishte bërë ai Xhafajn Ministër të Brendshëm.

Analisti Baton Haxhiu, i njohur për afrimitetin me kryeministrin Edi Rama, duket se lë pak dyshime mbi pyetjen nëse Xhafaj u largua apo e larguan. Në studion e “Open” ai zbulon se Xhafaj u shkarkua.

“Për shkak të sondazheve, që kërkonin që 76% e njerëzve në Shqipëri, i kryer dy javë më herët, kanë kërkuar që Xhafaj duhet të ikë. Dhe kjo është arsyeja që një kryeministër, kur njerëzit kërkojnë largimin e një njeriu, ai detyrohet dhe i thotë që opinioni publik nuk do”, deklaroi Baton Haxhiu.

(marrë me fragmente nga Top Channel)

SHKARKO APP